Palestinezja 63-vjeçare, paciente me kancer, kujdeset për familjen 12-anëtarëshe

63-vjeçarja Mine Zaanin humbi nusen e saj në një sulm izraelit, ndërsa djali i saj u arrestua nga ushtarët izraelitë

Pacientja palestineze 63-vjeçare me kancer, Mine Zaanin, është e detyruar të kujdeset për familjen 12-anëtarëshe në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta, raporton Anadolu.

63-vjeçarja Zaanin, e cila erdhi nga qyteza Beit Hanoun dhe u strehua në një shkollë në qytetin e Gazës, kujdeset për familjen e saj në kushte të vështira, duke qenë edhe vetë paciente me kancer.

Ajo humbi nusen e saj në një sulm izraelit, ndërsa djali i saj u arrestua nga ushtarët izraelitë. Kështu, ajo vetë duhet të kujdeset për një familje prej 12 anëtarësh. Zaanin ecën në distanca të gjata për të mbledhur dru zjarri për të gatuar dhe për të ngrohur familjen.

Familja mbijeton në vendbanime të improvizuara në mesin e rrënojave të ndërtesave të shkatërruara në sulmet izraelite në qytetin e Gazës, ku Zaanin përballet me vështirësi për gjërat elementare.

Pothuajse e gjithë popullësia në Gaza janë detyruar të shpërngulen për shkak të sulmeve. Duke u përballur me vështirësi të mëdha në sigurimin e furnizimeve me ujë dhe ushqim, palestinezët tani po përballen edhe me kushtet e motit të ftohtë.

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit vitin e kaluar, duke vrarë të paktën 44.200 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 104.500 të tjerë.

Tashmë në vitin e dytë, gjenocidi izraelit në Gaza ka tërhequr një dënim në rritje ndërkombëtar, me figura dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.

Të enjten, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi ​​urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën brutale ndaj Gazës.

Kategoritë
BotaLajme