Palestinezja, e lindur kur i ati ishte në burgun izraelit, e përqafoi atë për herë të parë dje

Skena të gëzueshme ndodhën në Ramallah kur 60 të burgosur palestinezë u liruan nga paraburgimi izraelit dhe u kthyen në krahët e të dashurve të tyre.

Ndër ata që u liruan dhe shijuan lirinë, për herë të parë pas 22 vitesh, ishte edhe 47-vjeçari Hussain Nassar, i cili u arrestua në vitin 2003 për pjesëmarrje në kryengritjen e dytë palestineze.

Aty e pritën vajzat e tij, 22-vjeçarja Hedaya dhe Raghad, 21 vjeç. Të dyja ishin të veshura me fustane tradicionale të kuqe dhe të zeza nga Nablusi, qyteti i tyre i lindjes.

“Është hera e parë që e prek. Dua ta përqafoj. Nuk mund t’i përshkruaj ndjenjat e mia,” tha vajza më e vogël për BBC-në.

E tronditur nga emocionet që më në fund takoi të atin, ajo tha për BBC-në:
“Izraelitët e arrestuan atë kur mamaja ime ishte shtatzënë me mua. Ndihem sikur kjo është hera e parë që di çfarë do të thotë të kesh një baba!”

Ndër 110 të burgosurit palestinezë të liruar në këtë fazë, gjatë armëpushimit ende të brishtë, kishte disa gra dhe fëmijë, ku më i riu ndër ta ishte vetëm 15 vjeç.

Disa prej tyre ishin akuzuar për vepra penale të lehta, ndërsa të tjerë nuk ishin dënuar apo as akuzuar zyrtarisht.

Por 21 të burgosur, të dënuar për krime të rënda, përfshirë vrasje, nuk u lejuan nga Izraeli të kthehen në territoret palestineze dhe u dëbuan në Egjipt ose vende fqinje.

Kategoritë
BotaLajme