“Pallatet osmane të shpendëve” kanë ruajtur bukurinë e tyre prej 5 shekujsh

“Shtëpitë e shpendëve në përgjithësi ishin prej tulle ose guri, por që shembujt e parë ishin prej druri. Pallatet osmane të shpendëve ishin një kënaqësi estetike”, tha historiani Mehmet Dilbaz.

Shtëpitë e zogjve, të cilat u ndërtuan në muret e disa xhamive, medreseve dhe varreve në Perandorinë Osmane që nga shekulli i 16-të me qëllimin për të shërbyer si fole për zogjtë, ende sot presin shumë lloje zogjsh.

Strukturat, të cilat u krijuan si vepra të mendimit estetik si në aspektin arkitekturor, ashtu edhe atë njerëzor, shihen gjithashtu edhe si simbole të dhembshurisë së treguar ndaj gjallesave në qytetërimin osman.

Pallatet e shpendëve, të ndërtuara për të strehuar shumë lloje zogjsh si harabela, pëllumba dhe cërlojë, u ndërtuan në pjesë të veprave arkitekturore që ishin të ekspozuara kryesisht në pjesët që shikojnë dritën e diellit dhe jo të ekspozuara ndaj erës.

– “Shtëpitë e shpendëve tregojnë shijen arkitekturore dhe estetike të periudhës në të cilën janë ndërtuar”

Historiani dhe shkrimtari Mehmet Dilbaz në një prononcim për Anadolu foli për historinë e pallateve otomane të shpendëve, qëllimin e ndërtimit të tyre, rëndësinë e tyre nga e kaluara në të sotmen dhe se si këto vepra ndikuan në shoqëri të tjera.

Duke thënë se pallatet e zogjve në Perandorinë Osmane ishin në fakt vepra të një tradite dhe kulture shërbyese të lidhur me Islamin, Dilbaz tha: “Në bazën e historisë është nevoja për të mos mbyllur librin e veprave. Siç ka thënë profeti në një hadith të famshëm në fenë islame se ‘Dituria, një fëmijë i mbarë dhe një vepër e mirë’ janë disa gjëra që mund t’i shpëtojnë njerëzit pasi të vdesin”.

Ai tha se gjatë periudhave kur arti islam turk ishte në kulmin e tij në shoqërinë osmane u rrit ndërgjegjësimi për ta bërë të vazhdueshëm përfitimin (dobinë) dhe se u krijuan shumë fondacione (për shërbim) për vazhdimin e jetës shoqërore.

Në të kaluarën janë kryer studime të rëndësishme për ushqyerjen dhe strehimin e kafshëve endacake, u shpreh Dilbaz.

“Zoti ka disa krijesa memecë (që nuk flasin). Disa struktura janë projektuar për të strehuar zogjtë, veçanërisht gjatë muajve të dimrit. Nuk dihet saktësisht se kur është ndërtuar shtëpia e parë e zogjve në Istanbul. Të gjithë e dinë historinë e keqe të Istanbulit, një tërmet, dy zjarre. Prandaj, për fat të keq, nuk ka shtëpi zogjsh prej druri që kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Por, mund të shihen shtëpi zogjsh të gdhendura në gur ose mermer. Mund të hasni në shtëpi zogjsh të ndërtuara në pjesë të ndryshme të qytetit që nga koha e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm. Arti estetik osman në të vërtetë ka bartur shumë gjëra deri në ditët e sotme”, tha ai.

– “Pallatet osmane të shpendëve ishin një kënaqësi estetike, shumë nga detajet e të cilave i kemi humbur sot”

Ai thotë se shtëpitë e shpendëve në përgjithësi ishin prej tulle ose guri, por që shembujt e parë ishin prej druri. “Pallatet osmane të shpendëve ishin një kënaqësi estetike që ne në ditët e sotme kemi humbur shumë detaje. Paraardhësit tanë sikur t’i kishin ndërtuar këto pallate vetëm me qasjen që zogjtë mund të hynin në to, të qëndronin këtu në verë dhe në dimër, të vendosnin vezët ose që të mbroheshin nga i ftohti, bora dhe shiu, do të kishin ndërtuar ato vetëm katër mure”, tha Dilbaz.

“Duke qenë se paraardhësit tanë kishin shije estetike, ata i bënë këto shtëpi zogjsh me elegancë dhe detaje në përputhje me elementet arkitekturore të periudhës në të cilën u ndërtuan. Për këtë arsye, shtëpitë e shpendëve që kanë mbijetuar në ditët e sotme, tregojnë në mënyrë të qartë shijen arkitekturore dhe estetike të periudhës së tyre në të cilën janë ndërtuar”, thekson ai.

Dilbaz tha se muajt e dimrit ishin më të ashpër në shekujt e mëparshëm dhe mbulesa e borës qëndronte e pashkrirë një kohë të gjatë. “Shtëpitë e zogjve nuk ndërtohen vetëm për kënaqësi estetike. Dyqind vjet më parë, në Istanbul kishte dimëra shumë të ftohtë. Në klimat ku mbulesa e borës nuk ikën për dy muaj gjatë dimrave të ftohtë, shtëpitë e zogjve ishin i vetmi mjedis në të cilin këta zogj mund të hynin, të strehoheshin dhe të vazhdonin jetën e tyre”, tregon historiani Dilbaz.

– “Në botë nuk ka asnjë qasje shërbimi që të jetë aq i detajuar sa i yni”

Dilbaz thotë se kultura e shërbimit është një traditë e dalë nga qytetërimi osman. “Në Romën e lashtë nuk kishte asnjë kulturë shërbimi (vakëf-fondacion). Sot shtetet moderne, pasi kuptuan logjikën e shërbimit (vakëfit) të Perandorisë Osmane, krijuan shërbime brenda vetes dhe filluan disa punë bamirësie në këtë mënyrë. Por, ata kurrë nuk patën një kuptim shërbimi aq të detajuar sa ky i yni. Krijohet një fondacion dhe ofron bursa arsimi jashtë vendit”, tha ai.

“Por, ne po krijojmë një fondacion (shërbim) për të ushqyer kafshët e rrugëve, apo harabelët. Krijojmë vakëf për të trajtuar krahët thyer të lejlekëve. Në qytetin Bursa po ndërtojmë spital për lejlekë. Deri më tani unë nuk kam parë një shembull të tillë. Pra, në botë nuk ka një gjë të tillë. Sikur të kishte do ia shpjegonim të gjithë botës përmes mediave. Nuk ka aq të detajuar sa ne”, vlerëson Dilbaz.

Historiani dhe shkrimtari Dilbaz nënvizon se qytetërimi osman nuk ishte materialist dhe shtoi se edhe pse kanë kaluar shekuj fondacionet e krijuara i shërbejnë njerëzimit. Shtëpitë e shpendëve, shembuj të të cilave mund të shihen në shumë lagje të Istanbulit, veçanërisht në gadishullin historik, emërtohen si “Pallati i Zogjve”, “Kështjella e Zogjve”, “Pallati i Harabelëve” dhe “Shtëpia e Pëllumbave”.

Kuptohet se është treguar kujdes që shtëpitë e zogjve të cilët në shumicën e rasteve ato janë punuar me tulla dhe gurë, të jenë të mbrojtura nga era, dielli dhe shiu.

Shembujt e shtëpive të zogjve në Istanbul mund të shihen në shumë ndërtesa historike të tilla si xhamia ‘Valide Sultan’ në Üsküdar, xhamia ‘Ayazma’ në Üsküdar, xhamia ‘Eyüp Sultan’, xhamia ‘Bali Pasha’, xhamia ‘Shehzade’, Varri i Sulltan Mustafait të Tretë, xhamia e madhe ‘Selimiye’, Medreseja Seyyid Hasan Pashës, shkolla ‘Sulltan Mahmud I’ dhe Biblioteka Kombëtare e dorëshkrimeve.

Kategoritë
Kulturë