Pamje: Një protestues në Kazakistan sulmon policët me veturë

Po vazhdojnë skenat e dhunshme mes protestuesve anti-qeveritarë e forcave të sigurisë në Kazakistan. Në një video, një veturë shihet duke lëvizur drejt turmës së policëve. Me gjasë, ndonjëri prej tyre është goditur.

Reporteri i gazetës britanike, “The Guardian”, për Evropën Qendrore dhe Lindore, Shaun Walker, publikoi të enjten një video në llogarinë e tij në Twitter, ku vetura shihet duke e goditur turmën e policëve.

Gazetari raportoi se videoja besohet se është incizuar në qytetin Aktobe, duke shtuar se nuk e di burimin origjinal të pamjeve, shkruan Gazeta Express.

Sipas autoriteteve, dhjetëra protestues dhe 12 policë raportohet të jenë vrarë gjatë protestave të dhunshme anti-qeveritare në Kazakistan. Autoritetet e shtetit të madh aziatik thanë se një polic është gjetur me kokë të prerë.

CSTO-ja, aleancë rajonale ushtarake e udhëhequr nga Rusia, tha të enjten se do të dërgojë trupa paqeruajtëse në Kazakistan pas kërkesës së Presidentit Kassym-Jomart Tokayev.

Kategoritë
LajmeRajoni