Pamje tronditëse: Me shufër metalike, i pastrehu e bën për spital medalisten amerikane në rrugët e Los Angelesit

Kim Glass, fituesja e medaljes së argjendit me SHBA në volejboll, në Lojërat Olimpike të Pekinit 2009, u sulmua nga një i pastrehë me shufër metalike në rrugët e Los Angelesit.

Videoja e Kim Glass e gjakosur dhe e plagosur në trotuar u regjistrua nga Benson Parks, i cili arriti ta mbërthejë njeriun përgjegjës për sulmin.

Ajo shpjegoi agresionin ndaj saj: “Ai më shikoi me sy plot urrejtje. Dhe kur u ktheva për ta parë, i thashë mikut tim: Mendoj se diçka nuk shkon me këtë person. Aty për aty më goditi si rrufe me një shufër e madhe metalike. Ndodhi shumë shpejt”,  shpjegoi Kim Glass për “TMZ Sports”.

Kim Glass pësoi fraktura të shumta të fytyrës dhe iu deshën disa qepje për të mbyllur plagët e saj. “Po, kam fraktura të shumta. Dukem si ET”,  shtoi me shaka volejbollistja dhe modelja.

Pavarësisht dëmtimit të konsiderueshëm në syrin e djathtë, mjekët besojnë se ylli i volejbollit, 36 vjeçe, nuk do të ketë pasoja të pariparueshme.

Kim Glass pranoi se sfida e saj tani është të jetojë pa frikë në qytetin e mbushur me krime të Los Anxhelosit, pasi ka jetuar më parë në Rusi, Porto Riko, Turqi, Republikën Çeke, Azerbajxhan, Kinë dhe Brazil.

“Djema, jini të sigurt, ka shumë pacientë mendorë atje në rrugë tani. Nuk duhet të keni frikë kur ecni, por është e vërtetë se siguria mungon, ndaj bëjini sytë katërt”, shkroi më tej Kim Glass në rrjetet e saj sociale.

Kategoritë
Të ndryshme