Pamje tronditëse nga Siria, spitalet të mbingarkuar, hapen varre masive për të vdekurit

Personeli mjekësor dhe punonjësit e shpëtimit në Siri janë në kufijtë e tyre pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriperëndimore në mëngjesin e hershëm të 6 shkurtit.

Siria veriore e kontrolluar nga opozita është prekur veçanërisht dhe mjekët raportojnë një mungesë të objekteve mjekësore për të trajtuar të plagosur.

Personeli atje bën me dije se rajoni është në prag të një krize humanitare pasi një rrugë kryesore shpëtimi për ndihmën ndërkufitare është mbyllur.

Spitalet në veri janë mbingarkuar plotësisht pas tërmetit dhe mjekët nuk kanë burime apo pajisje për të trajtuar ashpërsinë ose shkallën e madhe të lëndimeve të pësuar nga të mbijetuarit.

Një numër spitalesh u dëmtuan vetë nga tërmeti, duke mbingarkuar ata që kishin mbetur në funksion.  Infrastruktura mjekësore e Sirisë veriore tashmë është gjymtuar nga sulmet e rënda ajrore në vitet e fundit të kryera nga forcat qeveritare siriane dhe aleatët e tyre rusë.

Nga an tjetër, për shkak të vdekjeve të shumta sirianët janë duke hapur varre masive për të varrosur trupat e pajetë, të cilët shihen të shtrirë përtokë.

Shumë vullnetarë janë duke hapur këto varre masive në fusha larg ndërtesave, për të shmangur përhapjen e sëmundjeve dhe infeksioneve.

Tërmeti me magnitudë 7.8 rrëzoi mijëra struktura të cenueshme në të gjithë Sirinë veriore të shkatërruar nga lufta.

Siria veriperëndimore është enklava e fundit e opozitës pas më shumë se 11 viteve të luftës civile, e cila e ka lënë rajonin të shkatërruar nga dëmtimi i infrastrukturës, mungesat, krizat shëndetësore dhe zhvendosja e brendshme.

Brenda 11 orëve pas tërmetit, rajoni ndjeu gjithashtu të paktën 13 pasgoditje të mëdha, përveç një tërmeti tjetër të rëndësishëm me magnitudë 7.5 ballë.

Numri i të vdekurve tejkaloi 5,102 të martën në mëngjes në të dy vendet. Në Siri, 1,712 njerëz janë vrarë, duke përfshirë të paktën 900 njerëz në veriperëndimin e kontrolluar nga opozita.

 

Kategoritë
BotaLajme