Pamjet e pabesueshme vijnë pas sulmit ukrainas ndaj depozitës ruse, janë regjistruar 18 tërmete.

Ukraina gjatë natës kreu një sulm ndaj një depoje të madhe raketash ruse në rajonin Tver, në qytetin Toropets. Pamjet që po vijnë tregojnë një numër të madh shpërthimesh dhe shkatërrime të tmerrshme.

Në rajonin rus të Tverit janë regjistruar 18 tërmete pasi një dron goditi depojen e municionit, gjë që shkaktoi detonime masive, sipas raportit të Volcanodiscovery.

Seria e tërmeteve me magnitudë midis 2 dhe 3.2 filloi rreth orës 4 sipas kohës lokale të mërkurën, më 18 shtator, dhe zgjati për më shumë se dy orë. Ndërkohë, sistemi orbital i NASA-s për monitorimin e zjarreve, FIRMS, raporton se një zjarr i madh po përhapet në zonën e depozitës së goditur të municionit.

Sipas raporteve, thuhet se është goditur arsenali i 107-të i Drejtorisë Kryesore të Raketave dhe Artilerisë, dhe brenda tij ndodheshin rreth 30,000 tonë municion të ndryshëm.

Vendi përdoret për të ruajtur raketat operacionale-taktike Iskander, raketat taktike Toçka-U, bombat ajrore të drejtuara KAB dhe municionin e artilerisë, sipas një burimi të Ukrinform në Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës.

Burimi shtoi se SBU, së bashku me elementë të tjerë të forcave mbrojtëse ukrainase, vazhdon në mënyrë sistematike të zvogëlojë aftësitë raketore të armikut që Rusia përdor për të sulmuar qytetet ukrainase.

Burimi tha se dronët ukrainas që goditën objektin shkaktuan një sërë detonimesh masive. Zjarri tashmë ka përfshirë një zonë prej 6 km ndërsa autoritetet lokale kanë shpallur evakuimin e civilëve.

“Ne po punojmë për të vendosur një shfaqje të ngjashme në objekte të tjera ushtarake ruse që mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës,” theksoi burimi.

Kategoritë
BotaLajme