Pandemia vështirëson edhe më shumë pajisjen me viza për bizneset, rrezikohen shumë kontrata

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se mosheqja e vizave është bërë pengesë e patejkalueshme për qytetarët dhe bizneset.

Rukiqi tha se po rrezikohen shumë kontrata, e kjo nënkupton edhe humbje të një pjesë të mirë të qarkullimit për shumë kompani.

“Ne po diskriminohemi dyfish. Nuk e kemi regjimin pa viza dhe tash për më shumë, për shkak të pandemisë, ne kemi mbetur peng dhe realisht janë rrezikuar shumë kontrata, sidomos të pjesës prodhuesve dhe te pjesa tjetër e bizneseve që kanë komunikimi me tregjet e tjera. Po rrezikohet një pjesë e mirë e afarizmit dhe në shumë raste për shumë kompani tona kjo nënkupton edhe humbje të një pjesë të mirë të qarkullimit”.

Ai tha se shumë kompani po kërkojnë mbështetje nga Oda Ekonomike për t’u pajisur me viza sidomos tani në pandemi.

“Ka kërkesa të vazhdueshme të bizneseve për të lehtësuar pajisjen me viza, sidomos tani në këtë kohë të pandemisë, kur shumica e ambasadave apo zyrat e tyre për çështje konsullore nuk janë duke funksionuar fare pothuajse qe një vit. Për ato biznese dhe ekspertë të kompanive, apo edhe punëtorë të kompanive që kanë pasur viza, është bërë e pamundur për shkak se shumica e vizave janë afat-shkurta dhe kanë skaduar dhe e kanë të pamundur me shku në vende të tjera. Për shembull nëse dikush e blen një pajisje dhe shumëçka lidhet me testimin e atyre produkteve, me trajnimet që duhet për përdorimin e pajisjeve të ndryshme dhe të gjitha këto janë pamundësuar për shkak të mungesës së vizave”, ka thënë Rukiqi për EO.

Kreu i OEK-ut ka folur edhe dëmet që mund t’i sjellë mungesa e posedimit të vizave për bizneset.

“Këto nuk janë kalkulime sepse janë dëme direkte dhe indirekte dhe nuk mund të diskutojë për shifra. Nëse një kontratë për blerje e një pajisje që do të mund të prodhonte shumë më shumë, nuk mund të realizohet për shkak të mungesës së vizës atëherë dëmet janë të shumanshme. Pra një kompani ndoshta duhet me paguar diçka më shtrenjtë, do t’i vonohet edhe zbatimi i ndonjë kontrate do t’i zvogëlohej edhe kapaciteti për eksport dhe këto janë llojet e dëmeve”.

Kosovarët janë të vetmit vend në rajon që e kanë të pamundur që të lëvizin pa viza në zonën Schengen.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi