Papa Françesku mbërrin në Bahrein për vizitën e tij të parë në vendin e Gjirit

Papa Françesku është planifikuar të mbajë fjalim të premten në “Forumin e Bahreinit për Dialog: Lindja dhe Perëndimi për bashkëjetesën njerëzore”, i cili filloi më herët sot nën kujdesin e monarkut të Bahreinit

Papa Françesku mbërriti në kryeqytetin e Bahreinit Manama në vizitën e tij të parë në mbretërinë e Gjirit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mbreti Hamad bin Isa Al-Khalifa e mirëpriti Papën ndërsa vizita e tij katërditore filloi me një ceremoni zyrtare, sipas transmetuesit publik të Bahreinit.

Papa Françesku është planifikuar të mbajë fjalim të premten në “Forumin e Bahreinit për Dialog: Lindja dhe Perëndimi për bashkëjetesën njerëzore”, i cili filloi më herët sot nën kujdesin e monarkut të Bahreinit.

Kjo është vizita e parë e Papës në Bahrein dhe e dyta në Gjirin Persik, pas vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2019.

Al-Azhar Al-Sharif me bazë në Kajro, selia më e lartë e arsimit në botën muslimane sunite, njoftoi sot se Imami i saj i Madh Ahmed Al-Tayeb është nisur gjithashtu nga Egjipti për të marrë pjesë në forum.

Rreth 200 figura, udhëheqës dhe përfaqësues fetarë nga e gjithë bota po marrin pjesë në këtë aktivitet.

Marrëdhëniet diplomatike midis Bahreinit dhe Selisë së Shenjtë filluan më 12 janar 2000.

Katolikët përbëjnë komunitetin më të madh të krishterë në Bahrein, vend me 18 kisha zyrtare.

Kategoritë
BotaLajme