Papa refuzoi takimin me JD Vance – bashkëpunëtori i tij kritikoi ashpër qëndrimet amerikane

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, gjatë një vizite zyrtare në Itali, kishte planifikuar një takim me Papa Françeskun. Megjithatë, Papa vendosi të mos e pranojë në audiencë, duke e deleguar takimin tek sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dhe ministri i jashtëm i Selisë së Shenjtë, Paul Gallagher.

Sipas deklaratës zyrtare të Vatikanit, gjatë takimit u diskutua për çështje globale, sidomos për situatat në vendet e prekura nga lufta, tensionet politike, krizat humanitare, migracionin, refugjatët dhe të burgosurit. Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit paqësor mes Shteteve të Bashkuara dhe Kishës Katolike, veçanërisht në mbrojtjen e njerëzve më të cenueshëm.

Megjithëse takimi u përshkrua si “i përzemërt”, mediat amerikane raportojnë se pati debat të fortë për çështje ku palët kanë qëndrime të kundërta – sidomos për migracionin, ku kardinali Parolin kritikoi ashpër Vance-in dhe drejtimin aktual të politikës amerikane.

Nga zyra e Vance-it, ndërkaq, u bë e ditur se bisedimet përfshinë temën e fesë katolike, sfidat e katolikëve në botë, si dhe dëshirën e presidentit Donald Trump për vendosjen e paqes globale.

Papa Françesku ka qenë prej kohësh kritik i politikave të Donald Trump, sidomos në lidhje me migracionin. Vance dhe administrata e re janë përballur me kritika të shumta pas rikthimit të politikave të deportimit masiv dhe ndërprerjes së ndihmave ndërkombëtare përmes mbylljes së USAID-it.

Tensionet u përshkallëzuan më tej kur Vance deklaroi para disa javësh se “kardinalët në SHBA po mbrojnë migrantët ilegalë”, çka ndikoi negativisht në marrëdhëniet mes administratës amerikane dhe Kishës Katolike.

Gjatë vizitës në Itali, Vance u takua edhe me kryeministren Giorgia Meloni në kuadër të marrëdhënieve SHBA-Itali.

Kategoritë
BotaLajme