“Paqja” e arritur në Ohër rrezikohet gjatë përballjes Kosovë-Serbi në Nju Jork

Nuk dihet nëse Rusia do t’ia dalë ta pengojë Kosovën që të marrë pjesë në seancën ku do të diskutohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së, siç është raportuar, por nëse kjo ndodhë  atëherë përfaqësuesit e Kosovës e Serbisë nuk do ta kursejnë njëri -tjetrin. Pavarësisht marrëveshjes së arritur në Ohër dhe thirrjeve të BE’së për përmbajtje, selia e OKB’së është vendi ku zyrtarët e dy vendeve përplasen fort duke dhënë versione të ndryshme për atë që ndodhë në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar pas shumë përpjekjesh ka bindur Kosovën dhe Serbinë që të pajtohen për propozimin franko-gjerman, përmes të cilit është kornizuar normalizimi i raporteve në mes të dy shteteve. Pas arritjes së pajtimit në Ohër, ku palët u dakorduan për implementimn e ujdisë, Ëashingtoni dhe Brukseli kanë kërkuar nga palët që të përmbahen nga deklaratat nxitëse në mënyrë që të mos pengohet ecja pozitive post-marrëveshje.

Por fakti që në Ohër s’është bërë zgjidhje për kthimin e serbëve në institucione dhe për çështjen e zgjedhjeve të 23 prillit, ka lënë përsëri një shteg të hapur për acarim të situatës në veri të Republikës së Kosovës. Lista Serbe pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtareve ka vendosur që të bojkotojë zgjedhjet lokale.

Përkeqësimi i situatës në veri të Republikës së Kosovës ka filluar me aktet e djegies së veturave të serbëve lokalë vetëm për faktin se janë regjistrua me tabela të Republikës së Kosovës. Faktori ndërkombëtar ka dënuar aktet e tilla dhe ka kritikuar Listën Serbe për mos reagim ndaj akteve të tilla të dhunës që kanë për qëllim frikësimin e serbëve.

Në acarimin e situatës ka ndikuar edhe një rast i ndodhur ditë më parë një qytetar serb i Republikës së Kosovës ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit. Ai dyshohet se është plagosur nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, për të cilin është marrë edhe masa e suspendimit. Polici K.P tashmë është edhe subjekt i organit të akuzës nën dyshimet për veprën penale “vrasje në tentativë” dhe “manipulim me prova”. Ndërkohë tre policët e tjerë, të cilët janë suspenduar poashtu, dyshohet për veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Këtë rast e ka shfrytëzuar presidenti i Serbisë, për të realizuar dy takime me përfaqësues të “Listës Serbe”. Gjithashtu ka takuar edhe ambasadorin e SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, për t’iu ankuar lidhur me situatën.

Paqja e arritur në Ohër duket se do të marrë një goditje edhe më të rëndë, kur Kosova dhe Serbia do të përballen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas pak ditësh e ku do t’ia thonë njëra-tjetrës gjitha vërejtjet e mospajtimet. Situatën pritet ta vështirësojë edhe më shumë fakti që kjo seancë për Kosovën do të mbahet derisa Rusia do të ketë drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përgjatë muajit prill.

Përfaqësuesja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, tashmë ka filluar përgatitjet e saj për raportimin që do të ketë më 27 prill në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ziadeh ka realizuar edhe një vizitë zyrtare në Beograd ku është takuar me krerët e shtetit serb, presidentin Vuçiq, kryeministren Bërnabiq dhe shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Ajo gjatë takimeve në Beograd ka thënë se ka theksuar nevojën për të kthyer zotime në veprime praktike në dobi të të gjitha komuniteteve.

Ziadeh në takimin me Aleksander Vuçiqin ka biseduar për zhvillimet e fundit dhe për normalizimin e raporteve mes dy shteteve. Këtu është përfshirë edhe diskutimi për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Gjatë takimit, ajo përcolli rëndësinë e mbajtjes së angazhimit konstruktiv për të siguruar që angazhimet politike të përkthehen në veprime konkrete që do të përfitojnë përfundimisht popullatën – me synimin për mundësitë rajonale afatgjata të progresit. Kjo përfshinte diskutime mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, si dhe angazhime të tjera të marra gjatë bisedimeve të fundit të udhëhequra nga BE”, thuhet në njoftimin e UNMIK-ut.

Kosova ende nuk dihet nëse do të përfaqësohet nga presidentja e Republikës, Vjosa Osmani apo nga shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla-Schwarz.

Është raportuar se Rusia po përpiqet ta pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit ku Kosova merr pjesë diku nga viti 2005 -2006. Për shkak se në KS të OKB’së janë dy vende anëtare permanente me të drejtë vetoje që s’e njohin pavarësinë, Kosova atje është prezantuar në kapacitet ‘privat”. Pra përfaqësuesit të Kosovës nuk I njihet pozita e Ministrit të Jashtëm ose Presidentit por përfaqësimi ndodhë vetëm me emër dhe mbiemër. Në kapacitet zyrtar përfaqësuesi i Kosovën njihet vetëm nga shtetet që  e kanë njohur pavarësinë. Por si duket edhe kjo formë i pengon Rusisë. Sipas raportimeve Rusia e cila këtë muaj kryeson me KS të OKB’së po përpiqet ta pengojë praninë e përfaqësuesit të Kosovës aty.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi