Paratë, kulla, medalja: Pse Richard Grenell kritikoi hapur protestat në Serbi

Prej disa muajsh, në Serbi po mbahen protestat më të mëdha kundër regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe partisë qeverisëse SNS (Partia Progresive Serbe). Nga SHBA-ja, më saktë nga administrata e re e Donald Trumpit, deri tani ka ardhur vetëm një mesazh – nga Richard Grenell.

Grenell, në një postim në rrjetet sociale, deklaroi se “ndonëse SHBA mbështet shprehjen e mendimit,” kjo nuk justifikon “dhunën dhe okupimin e ndërtesave qeveritare.”

Megjithatë, dhunë nga ana e protestuesve nuk është raportuar. Përkundrazi, ka pasur shumë incidente ku përkrahës të Vuçiqit dhe SNS-së kanë sulmuar studentët, të cilët janë në vijën e parë të këtyre protestave, që filluan pas rrëzimit të një strehe në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona.

Edhe pse Grenell, si “i dërguar presidencial për misione speciale,” nuk ka fuqi të madhe brenda administratës së Trumpit, është e qartë që ai mbështet në mënyrë të qartë regjimin e Vuçiqit. Pas këtij qëndrimi qëndrojnë interesa personale.

Gjatë mandatit të tij si i dërguar i posaçëm për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, Grenell zhvilloi marrëdhënie të ngushta me Vuçiqin dhe ekipin e tij më të afërt. Këto marrëdhënie i përdori për interesin e tij personal, duke sjellë në Beograd Jared Kushnerin, bashkëshortin e Ivanka Trump, dhe duke ndërmjetësuar për ndërtimin e Trump Tower në Beograd, në vendin ku më parë ndodheshin selia kryesore e JNA dhe Ministria e Mbrojtjes, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Me fjalë të tjera, Grenell e përdori pozitën që i dha Trump për të kaluar nga roli i përfaqësuesit amerikan në atë të lobistit serb, çka është provuar nga dokumentet e publikuara në regjistrin zyrtar të agjentëve të huaj në SHBA.

Në atë listë, shihet se Dhoma e Tregtisë së Jashtme të Republikës së Serbisë ka angazhuar Yorktown Solutions, një firmë lobuese amerikane, dhe ka paguar 1.3 milionë dollarë për këtë shërbim.

Mes bashkëpunëtorëve të kësaj firme janë Grenell dhe ish-i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, të cilët janë etiketuar si lobistë të Serbisë.

Sigurisht, duke qenë një firmë e madhe, nuk është e qartë sa para kanë marrë direkt Palmer dhe Grenell nga buxheti i Serbisë. Megjithatë, është tregues fakti që Grenell është shumë i zëshëm në qëndrimet e tij, të cilat ngjajnë shumë me ato që shpesh dëgjohen nga Vuçiq dhe ekipi i tij.

Kjo u vërtetua edhe me rastin e miratimit të Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicë në maj të vitit 2024. Disa javë përpara miratimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Grenell publikoi një deklaratë shumë të diskutueshme në platformën X.

“Gjermanët po shtyjnë një rezolutë në OKB për të përshkruar diçka si gjenocid 29 vite më vonë. Jo çdo krim lufte duhet të cilësohet si gjenocid. Vendosja e krimeve të tjera në këtë kontekst e ul rëndësinë e asaj që Gjermania bëri në vitin 1941,” shkroi Grenell në mes të prillit.

Megjithëse më vonë e fshiu postimin, Grenell mbështeti publikisht qëndrimin zyrtar të regjimit të Vuçiqit, i cili asokohe zhvillonte një fushatë diplomatike shumë aktive, por që në fund dështoi.

Mbështetja e Grenellit për regjimin e Vuçiqit u formalizua në vitin 2023, kur ai mori një medalje nga presidenti serb gjatë një ceremonie në Beograd.

Megjithatë, ajo që tregon mesazhi i Grenellit për protestat në Serbi është se medalja u fitua duke mbrojtur interesat e Vuçiqit dhe ekipit të tij, jo të popullit serb.

Për punën e tij në pesë vitet e fundit dhe për projekte të mundshme të ardhshme brenda administratës së Trumpit, Grenell ka siguruar një lokacion të shkëlqyer në qendër të Beogradit, i cili përveç parave i sjell edhe pikë në sytë e presidentit amerikan, si dhe një sasi të madhe fondesh për lobim në Uashington.

Për këtë arsye, nuk është për t’u habitur që, kur regjimi nga i cili varet burimi i tij i financimit është në rrezik, Grenell “vë në lëvizje motorët e lobimit.”

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi