Rruga Komoran – Drenas – Skenderaj, një qendër e mjekësisë familjare në Drenas, një çerdhe në komunën e Malishevës, një fushë sporti po në këtë komunë janë vetëm disa nga dhjetëra projektet kapitale të planifikuara për këtë vit, por që nuk u realizuan.
Se përse ndodhi kështu, zyrtarët komunalë në Drenas e Malishevë nuk iu përgjigjën Radios Evropa e Lirë.
Prej tyre, deri në tetor, u shpenzuan rreth 215 milionë euro, sipas raporteve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), ndërsa në portofol mbeten edhe rreth 644 milionë.
Projektet në të cilat u investua këtë vit, por edhe viteve të kaluara, përfshijnë kryesisht: ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale, blerjen e pajisjeve informative, kompjuterëve dhe automjeteve transportuese, renovimin e institucioneve publike, si: çerdhe, objekte spitalore, shkolla e të tjera.
MFPT-ja nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se cila është arsyeja e mosshpenzimit të këtyre parave.
Kjo, pavarësisht faktit se mjetet e ndara për shpenzime kapitale nuk u shpenzuan as në qeverisjet paraprake, të udhëhequra nga kryeministri Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës – tani në opozitë.
Në çdo vit, nga 2017-ta e këndej, tepruan qindra miliona euro.
Në raport theksohet se “numri i projekteve të bartura nga viti në vit vazhdon të jetë i lartë” dhe se me ndërrimin e qeverive “ndërrohen edhe prioritetet e projekteve”.
GAP-i, i cili monitoron punën e institucioneve të Kosovës, publikoi edhe në dhjetor të vitit të kaluar një raport, ku u tha se me buxhetin e vitit 2023, dhjetëra miliona euro u ndanë për projekte të filluara vite më parë.
Çka thotë opozita?
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë thonë se Qeveria aktuale ishte “më e dobëta” në realizimin e projekteve kapitale.
Ata i arsyetojnë qeverisjet e mëparshme, duke thënë se në kohën e tyre kanë nisur projektet.
“Ka shumë projekte që kjo qeveri i ka gjetur në proces dhe nuk janë afër përfundimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arben Mustafa nga PDK-ja.
Në mesin e tyre, ai përmend autostradën Prishtinë-Gjilan, e njëjtë thotë se janë edhe rrugët Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Podujevë, stadiumi i Gjilanit e të tjera.
“Pra, nuk ka progres dhe nuk është arritur të sigurohet një vijueshmëri e këtyre projekteve”, sipas tij.
Për Pal Lekajn nga AAK-ja, Qeveria e tanishme ka dështuar edhe “në infrastrukturë shkollore e shëndetësore”.
Kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment nuk iu përgjigj Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila me kryeministrin Avdullah Hoti qeverisi në koalicion me disa parti të tjera nga qershori i vitit 2020 deri në mars të vitit 2021.
Ngjashëm nuk u përgjigjën as nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila mban pushtetin aktual.
Çka thonë ekspertët?
Prej vitesh, Zyra Kombëtare e Auditimit identifikon planifikimin e dobët, mungesën e kapaciteteve zbatuese, vonesat në procedurat e prokurimit si arsye të mosrealizimit të projekteve kapitale.
Sipas Blendi Hasajt, drejtor ekzekutiv në Institutin GAP, një arsye tjetër është edhe përfshirja e ministrive jokompetente, siç thotë ai, në investime kapitale.
Ai sugjeron që investimet kapitale t’i menaxhojë vetëm një ministri, si ajo e Infrastrukturës, për shkak të ekspertizës dhe ekipit më të përgatitur, ndërsa ministritë e tjera të fokusohen në reformat përkatëse.
“… sepse, për shkak të mungesës së specializimit, ministritë që nuk e kanë prioritet drejtimin e infrastrukturës, çalojnë në arritjen e afateve, në përgatitjen e planeve të prokurimeve me kohë. E gjithë kjo pastaj, në formë zinxhirore, ndikon edhe në realizimin e investimeve kapitale”, thotë Hasaj.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se nënshpenzimi për projekte të premtuara në infrastrukturë, bujqësi, shëndetësi, arsim e fusha të tjera tregon për mungesë të seriozitetit dhe përgjegjësisë nga ana e ekzekutivit – kushdo që e udhëheq atë.
Më shumë se në politikë, moszbatimi i këtyre projekteve ndikon në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin afatgjatë të vendit, sipas tij.
“Bizneset e mëdha që përgatiten për të realizuar projekte kapitale, kanë makineri, kanë teknologji, sigurojnë punëtorë. Mosrealizimi i tyre i dëmton, sepse nuk kanë të hyra në biznese për t’i mbuluar shpenzimet, ndaj e zvogëlojnë numrin e punëtorëve e, rrjedhimisht, bie edhe konsumi”, thotë Shahini, duke sugjeruar që atyre t’u jepet më shumë përparësi.
Në projektbuxhetin e vitit 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove dhe kaloi shqyrtimin e dytë në Kuvendin e Kosovës, rreth 930 milionë euro parashihen për projekte kapitale.
Nëse përcillet trendi i viteve të fundit, gjasat janë që edhe vitin e ardhshëm të teprojnë qindra miliona euro.
Për ekspertët, kjo është paradoksale derisa vendi përballet me një normë të papunësisë mbi 10 për qind, paga mesatare është 570 euro dhe parashikimi për rritje ekonomike sillet nën 4 për qind.
“Ka qytetarë që e kanë cilësinë e jetesës jo në nivel të duhur, sepse në zonat ku disa jetojnë, nuk ka rrjet të ujësjellësit dhe kanalizimit. E kjo ndikon në kualitetin e jetesës”, përfundon Hasaj.