Parkimi në pjesë të Hagës do të kushtojë deri në 50 euro, pavarësisht se sa kohë do të parkohet automjeti

Parkimi në rrugë të caktuara të Hagës holandeze do të kushtojë 50 euro, pavarësisht nëse automjeti do të parkohet për 10 minuta apo për gjithë ditën. Kjo është për të parandaluar bllokimin e trafikut në pjesët tërheqëse të qytetit.

Tarifa, e cila do të aplikohet për një vit, vlen edhe për zonat përreth plazhit të njohur Scheveningen. Banorët vendas ankohen prej vitesh se nuk mund të gjejnë parkim në qendër të qytetit dhe Scheveningen. Për këtë arsye autoritetet vendosën të dekurajojnë parkimin në pjesët e përmendura të qytetit duke paguar një çmim të lartë.

Zëdhënësi i këshillit bashkiak, Jurriaan Esser, theksoi se ky është një projekt pilot që do të përcaktojë avantazhet dhe disavantazhet e sistemit të ri të tarifimit dhe se pas kësaj do të shqyrtohet nëse do të vazhdohet me këtë lloj tarifimi. Banorët vendas dhe kompanitë vendase do të kenë përparësi në parkimin në rrugët ku ka kryesisht ndërtesa banimi.

“Ne duam që këmbët tuaja të jenë mënyra kryesore e transportit, e ndjekur nga biçikleta, transporti publik dhe vetëm më pas një makinë. Kjo nuk do të thotë që ne nuk lejojmë makina në qytetin tonë. Do të thotë që nëse do të udhëtoni për një kohë të shkurtër transporti juaj duhet të jetë këmbët tuaja, kjo nuk është e dobishme jo vetëm për mjedisin, por edhe nga aspekti kohor është më e pranueshme”, tha Esser.

Çmimi prej 50 euro është dhjetë herë më i lartë se çmimi i zakonshëm i parkimit në Hagë. Megjithatë, ka nga ata që nuk janë të kënaqur me këtë vendim. Ithtarët e çiklizmit si formë bazë e transportit besojnë se vendimi nuk mjafton për të dekurajuar përdorimin e veturave, shkruan Gazeta Guardian.

Haga nuk është e vetmja që demotivon përdorimin e mjeteve motorike përmes ndryshimeve në aksesin e parkimit. Një vit më parë, Vjena prezantoi një sistem unik të tarifimit të parkimit, i cili hoqi parkimin falas.

Kategoritë
BotaLajme