Parlamenti Arab: Aktet e forcave izraelite kërcënojnë paqen në rajon

– Parlamenti Arab, organi legjislativ i Ligës Arabe, dënoi sulmet e forcave izraelite që po vazhdojnë prej një kohe të gjatë kundër palestinezëve në Jenin, Kuds dhe Bregun Perëndimor të pushtuar

Parlamenti Arab paralajmëroi se veprimet e Izraelit që përshkallëzojnë tensionet në territoret e pushtuara palestineze kërcënojnë paqen dhe sigurinë në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, Parlamenti Arab, organi legjislativ i Ligës Arabe, dënoi sulmet e forcave izraelite që po vazhdojnë prej një kohe të gjatë kundër palestinezëve në Jenin, Kuds dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, si dhe përdorimin disproporcional të forcës dhe “terrorin” e kolonëve hebrenj.

Parlamenti tha se tokat palestineze janë uzurpuar, judaizimi dhe spastrimi etnik vazhdon në Kuds dhe Bregun Perëndimor, janë rritur ekzekutimet në rrugë dhe se po shkatërrohen shtëpitë dhe bizneset e palestinezëve, duke shtuar se kjo është një sfidë e qartë për vullnetin dhe vendimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Në deklaratë thuhet se veprimet e forcave izraelite që rezultojnë me vdekje dhe plagosje në territoret e pushtuara palestineze, kërcënojnë paqen dhe sigurinë në rajon. Po ashtu i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Kombeve të Bashkuara (OKB) për të ushtruar presion ndaj Izraelit që të ndalojë të gjitha aktet e dhunës dhe sulmet kundër palestinezëve.

Kudsi Lindor i pushtuar dhe Bregu Perëndimor kanë qenë skenë e një rritjeje të incidenteve të armatosura kohët e fundit.

Lucia Elmi, koordinatore për Palestinën e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), tha në një deklaratë me shkrim më 19 tetor se “të paktën 105 palestinezë, 26 prej tyre fëmijë, janë vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor që nga fillimi i vitit”.

Kategoritë
BotaLajme