Parlamenti bullgar miraton planin francez, por vendos kushte

Parlamenti i Bullgarisë i dha dritën jeshile qeveritë që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

Pas një debati prej disa orësh, deputetët miratuan projektrezolutën e opozitës për pranimin e planit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Shkupin përmes kuadrit negociues, por duke vendosur disa kushte të cilat janë: të garantohet përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, njësoj si pakicat e tjera; të pasqyrohet qartë fakti se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë; BE të garantojë që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter gjatë procesit të anëtarësimit.

Tani i takon qeverisë në largim që ta miratojë atë në këshillin e ministrave, duke zyrtarizuar zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë.

Kryeministri Kiril Petkov, nga Brukseli pas përfundimit të samitit të Bashkimit Europian, e konsideroi votimin e parlamentit, një vendim historik, dhe kaloi topin në anën e Shkupit.

“Diplomacia europiane do të fillojë të punojë shumë që ky propozim të pranohet. Mendoj se ky propozim është në fakt shumë i mirë edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut, sepse së pari hap rrugën për në Bashkimin Europian dhe së dyti, ata duhet të dëshirojnë që të drejtat e të gjitha komuniteteve në Maqedoninë e Veriut të mbrohen”, tha Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Më herët, gjatë një interviste për median europiane Politico, Petkov, i bëri thirrje homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Dimitar Kovaçevski, të jetë “guximtar” dhe të pranojë propozimin e presidencës franceze, qoftë edhe nëse kjo do të rrezikonte që qeveria e Shkupit të rrëzohet.

Kategoritë
BotaLajme