Partia panevropiane Volt do t’i paraqesë Parlamentit Evropian një plan me nëntë pika, dhe njëra prej tyre është, sipas shkrimeve të Politico, kërkesa për pezullimin e të drejtës së Hungarisë për të votuar në Bruksel.
Gazeta e Brukselit shkruan se, përveç kësaj pike, në planin e Volt-it thuhet se Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për sigurinë dhe politikën e jashtme, duhet të bëhet ministre e punëve të jashtme të këtij blloku.
Natyrisht, fokusi do të jetë në qëndrimin e deputetëve evropianë ndaj Hungarisë, kryeministri i së cilës, Viktor Orbán, e shfrytëzon më së shumti të drejtën e vetos së vendeve anëtare të BE-së.
Që kjo iniciativë të ketë sukses, nevojiten të paktën dy të tretat e 720 deputetëve, pra 480 vota që do të mbështesnin pezullimin e Hungarisë.
Megjithatë, kjo është vetëm fillimi, pasi më pas Hungaria do të kishte të drejtën t’i drejtohej Parlamentit Evropian dhe të shpjegonte arsyet pse nuk duhet të pezullohet.
Më pas, katër të pestat e deputetëve, pra 576 vota, duhet të miratonin vazhdimin e procesit të pezullimit, duke kaluar kështu në hapin tjetër të këtij procesi të ndërlikuar.
Nëse, sipas vlerësimit të institucioneve të BE-së, vazhdon shkelja e parimeve të këtij blloku, shteti do të thirret përsëri për të dhënë llogari para Këshillit të Bashkimit Evropian, në të njëjtën mënyrë si në hapin e parë.
Në vazhdim të procesit, Këshilli Evropian duhet të marrë një vendim unanim për të vazhduar me pezullimin e së drejtës së votës, duke përjashtuar nga votimi shtetin që akuzohet për shkelje.
Në rast të një vendimi unanim, pason hapi i tretë, ku votohet përsëri në Këshillin Evropian, por kësaj here kërkohet një “shumicë e kualifikuar.” Kjo do të thotë të paktën 55 për qind e vendeve anëtare (15 nga 27), të cilat përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian.
Duke pasur parasysh se Orbán dhe aleatët e tij politikë në grupin “Patriotët për Evropën” kanë 86 deputetë, uniteti i të gjitha grupeve të tjera në Parlamentin Evropian mund të nxisë procesin.
Megjithatë, Orbán ka një aleat në Sllovaki, kryeministrin Robert Fico, i cili mund ta bllokojë të gjithë procesin në Këshillin Evropian.