Parlamenti i Finlandës miraton kërkesën për anëtarësim në NATO

Parlamenti miratoi qëndrimin në përputhje me raportin e Komisionit të Punëve të Jashtme, ndërsa votimi u favorizua nga 188 deputetë, nga gjithsej 200 sa ka parlamenti finlandez

Parlamenti finlandez votoi në favor të kërkesës së vendit për t’u anëtarësuar në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), transmeton Anadolu Agency (AA).

Parlamenti miratoi qëndrimin në përputhje me raportin e Komisionit të Punëve të Jashtme. Votimi u favorizua nga 188 deputetë, nga gjithsej 200 sa ka parlamenti finlandez. Tetë deputetë kundërshtuan, ndërsa tre mungonin.

Komiteti ishte pajtuar me qëndrimin e qeverisë se Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO “për të forcuar sigurinë e saj”.

“Komiteti thekson se pranimi i Finlandës nuk është i drejtuar kundër askujt, por do të forconte sigurinë e Finlandës. Si anëtare e NATO-s, është ende e rëndësishme të vazhdohet diplomacia aktive dhe një politikë e jashtme dhe e sigurisë që promovon stabilitetin”, thuhet në një deklaratë.

Më herët presidenti dhe kryeministri i vendit kishin deklaruar mbështetjen e tyre për anëtarësimin e vendit në aleancën transatlantike.

Votimi vjen një ditë pasi edhe Suedia vendosi të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në NATO.

Për dekada, Finlanda së bashku me Suedinë kishin një qëndrim neutral të politikës së jashtme në rajon, por lufta në vazhdim e sipër midis Rusisë dhe Ukrainës që filloi më 24 shkurt shkaktoi një ndryshim në qasjen e tyre, e tani opinioni dhe shumica e politikanëve favorizojnë anëtarësimin në NATO.

Me miratimin e parlamentit, qeveria finlandeze pritet që në ditët në vijim të dorëzojë kërkesën në selinë e NATO-s në Bruksel.

Moska ka paralajmëruar vazhdimisht se ky veprim do të kishte pasoja destabilizuese për sigurinë në Evropë.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska “nuk ka problem” me Suedinë apo Finlandën, por se “zgjerimi i infrastrukturës ushtarake në këtë territor sigurisht që do të provokojë reagimin tonë”.

Kategoritë
BotaLajme