Parlamenti kroat nuk miraton vendimin për stërvitjen e ushtarëve ukrainas në Kroaci

Një pjesë e deputetëve kundërshtuan vendimin, pasi sipas tyre, bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës kroate

Parlamenti kroat nuk e miratoi vendimin për stërvitjen e ushtarëve ukrainas në Kroaci si pjesë e misionit EUMAM, për miratimin e të cilit nevojitej shumicë prej dy të tretave, pra të paktën 101 vota, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky vendim nuk u miratua nga parlamenti kroat, përkundër faktit që 22 vende të Bashkimit Evropian tashmë janë të përfshira në këtë mision.

Një pjesë e deputetëve kundërshtuan vendimin, pasi mendojnë se ky vendim është dashur të merret bashkërisht nga Qeveria dhe Presidenti i Republikës së Kroacisë. Sipas tyre, bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës kroate.

Vendimi për të marrë pjesë në Misionin e Asistimit të Bashkimit Evropian në Ukrainë (EUMAM), i cili ndër të tjera përfshin trajnimin e deri në njëqind ushtarëve ukrainas në Kroaci, duhej të miratohej në Parlamentin kroat me një shumicë prej dy të tretash, respektivisht 101 nga gjithsej 151 vota.

Në votim, 97 deputetë e mbështetën vendimin, ndërsa 10 deputetë ishin kundër.

Një pjesë e deputetëve të opozitës refuzuan të marrin pjesë në votim, pasi mendojnë se anashkalimi i institucionit të Presidentit dhe marrja e një vendimi të tillë me shumicë prej dy të tretash në Parlamentin kroat është antikushtetues.

Vendimi përfundimtar për trajnimin e ushtarëve ukrainas i është lënë Parlamentit kroat, sepse Presidenti i Republikës së Kroacisë Zoran Milanoviç, i cili bashkëvendos për vendime të tilla si Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura, kundërshtoi propozimin e Qeverisë së Republikës së Kroacisë me arsyetimin se një lëvizje e tillë do ta përfshinte Kroacinë në luftë.

Kategoritë
BotaLajme