Partia Likud akuzoi Ronen Barin për “bashkëpunim të plotë me ish-Prokuroren e Përgjithshme Gali Baharav-Miara për të kthyer pjesë të Shin Betit në një milici private për shtetin e thellë”
KUDS/ISTANBUL(AA) – Partia e djathtë Likud, e udhëhequr nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka akuzuar shefin e Shin Bet, Ronen Bar, se e ka kthyer agjencinë e sigurisë në një “milici private për shtetin e thellë” që “minon sundimin e ligjit dhe themelet e demokracisë”, transmeton Anadolu.
Akuza erdhi në një postim në rrjetet sociale nga partia e ekstremit të djathtë, pas arrestimit të një rezervisti në agjenci me dyshimin për rrjedhje të informacionit të klasifikuar.
Tashmë nën kritika për keqmenaxhim të periudhës pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, Netanyahu e kishte shkarkuar Barin, por Gjykata e Lartë pezulloi vendimin.
Postimi, i shpërndarë gjithashtu nga Netanyahu, akuzoi Barin për “bashkëpunim të plotë me ish-Prokuroren e Përgjithshme Gali Baharav-Miara për të kthyer pjesë të Shin Betit në një milici private për shtetin e thellë”.
Agjencia “arreston dhe merr në pyetje gazetarët, shantazhon oficerët e policisë dhe nis hetime të pabaza politike kundër ministrave dhe anëtarëve të Knessetit – të gjitha për të parandaluar largimin e Barit”, thuhet në deklaratë.
Partia bëri thirrje që hetimi i nisur për rrjedhjen e supozuar të informacionit të klasifikuar të përfundojë menjëherë.