Edhe pse ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në përfundimin e afatit, vetëm pesë subjekte politike kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe listën me emrat e kandidatëve për deputet.
Edhe pse afati zyrtar i caktuar nga KQZ-ja do të përfundojë nesër në orën 16:00, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezaj ka thënë se katër partitë më të mëdha në vend LVV, PDK, LDK dhe AAK nuk i kanë dorëzuar ende listat me emrat e kandidatëve për deputetë.
Ai për lajmi.net ka listuar partitë të cilat e kanë kryer obligimin e tyre ligjor.
“Subjektet politike që kanë paraqitur aplikimin e tyre janë: 1.Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – 35 kandidatë; 2.Jednstvena Goranska Partija (JGP) – 29 kandidatë; 3.Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI) – 35 kandidatë; 4.Srpska Demokratija (SD) – 13 kandidatë; dhe 5.Narodna Pravda – 10 kandidatë. Afati i fundit për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të paraqitur kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025 është 11 dhjetor 2024, ora 16:00. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë”, ka thënë Elezaj për lajmi.net.
Duke “kundërshtuar” deklaratën e Elezit, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka thënë për lajmi.net se lista e deputetëve është përfunduar dhe se është dorëzuar sot në Komisionin qendror të zgjedhjeve (KQZ).
“Po, listat janë dorëzuar sot në KQZ, brenda afateve ligjore. Procesi ka qenë transparent dhe në përputhje të plotë me rregullat dhe procedurat përkatëse”, ka thënë Lekaj.
Tutje ai është shprehur optimist rreth fitores pasi siç thotë ai programi i AAK-së ofron zgjidhje reale për sfidat kryesore me të cilat përballet vendi.
“Ne besojmë se programi ynë ofron zgjidhje reale për sfidat kryesore me të cilat përballet vendi. Qytetarët janë të lodhur nga premtimet boshe dhe duan një qeverisje të përgjegjshme, të aftë dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete”, thotë ai.
Në lidhje me këtë lajmi.net ka pyetur edhe PDK-në, e nga të cilët deputeti Ferat Shala ka thënë se listat e deputetëve tek kjo parti janë nën autoritetin dhe kompetencën e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, ku sipas informatave listat e deputetëve nuk janë dorëzuar ende por se beson se do të dërgohen në KQZ, brenda afatit kohor.
“Lista do të jetë gjithëpërfshirëse në kuptimin, gjeografik dhe gjinor, vlerë e shtuar për fitoren e radhës të PDK-së”, tha Shala.
Ndërkaq Shala përfundoi duke thënë se presin fitore me kandidatin për kryeministër nga kjo parti Bedri Hamza.
“Kjo listë udhëhiqet nga Kryeministri Bedri Hamza. Presim fitore bindëse, me Kryeministër Bedri Hamza”, ka thënë Shala.
Lajmi.net ka tentuar të kontaktoj edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje por asnjëra nga këto parti nuk kanë kthyer përgjigje.
Zgjedhjet parlamentare të Kosovës do të mbahen më datë 9 shkurt 2025, ndërsa kandidatët për kryeministër janë caktuar nga secila parti.
Kësaj gare do t’i hyjnë kryeministri aktual, Albin Kurti, Memli Krasniqi nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga AAK. /Lajmi.net/