Partitë turke në Maqedoninë e Veriut kundërshtojnë rezultatet e regjistrimit të popullsisë

TDP, THP dhe TMBH kanë lëshuar deklarata pas shpalljes së rezultateve të Regjistrimit 2021

Partitë politike turke në Maqedoninë e Veriut kanë kundërshtuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë, shtëpive dhe banesave të mbajtur në shtator 2021 në vend, rezultatet e të cilit u shpallën dje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim të Partisë Demokratike Turke (TDP), thuhet se “me një gjuhë shumë të qartë dhe precize” nuk i pranojnë rezultatet e shpallura të regjistrimit.

“Rezultatet e shpallura mbajnë shenjat e një mospërputhjeje të plotë dhe një operacioni politik. Rritja e popullsisë turke në 31 komuna, rritja e përqindjes së turqve në 6 komuna në mbi 20 për qind dhe rritja prej 7 për qind në regjistrimin e fundit krahasuar me atë të vitit 2002, nuk do të thonë se ne do ta anashkalojmë këtë operacion politik. Nuk mund të pranohen këto rezultate që janë larg realitetit, si nga partia jonë, ashtu edhe nga populli ynë”, thuhet në deklaratë.

TDP tha se rritja e popullsisë totale turke me vetëm 5.484 persona në periudhën 19-vjeçare, nënkupton refuzim të të gjitha të dhënave statistikore.

“Bazuar në numrin e lindjeve dhe vdekjeve ndërmjet periudhës 2010-2020, rritja në këtë periudhë është 4.307 persona gjithsej (lindje: 9.564; vdekje: 5.257) Bazuar në këtë rezultat, diferenca ndërmjet numrit të lindjeve dhe vdekjeve në periudhën 2002-2009 është vetëm 1.177 persona, pra rritje prej 1.177 personash në periudhën 2002-2009, sipas Entit Shtetëror të Statistikave. Kjo nuk ka asnjë lidhje me realitetin, nga larg apo nga afër”, thuhet në deklaratë.

“Përveç kësaj, fakti që të dhënat e përkatësisë etnike të 132.260 personave nuk janë bërë publike e bën të dyshimtë të gjithë këtë proces. Enti Shtetëror i Statistikave duhet t’i zbulojë menjëherë dhe sa më shpejt të dhënat e këtyre personave. Gjithashtu është thelbësore të zbulohen se në cilat komuna banojnë 12.482 bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit. Nëse nuk sqarohen dyshimet me të dhëna të qarta dhe zyrtare, ky aktivitet nuk do jetë asgjë tjetër përpos një operacion politik”, shtoi TDP.

THP: Presim vullnet të mirë nga komunat e Dollnenit, Dibrës, Radovishit dhe Vallandovës për përdorimin zyrtar të turqishtes

Në deklaratën e Partisë Turke të Veprimit (THP), thuhet se si parti e kanë ndjekur me kujdes procesin e regjistrimit që nga fillimi.

THP theksoi se është kënaqësi që Republika e Maqedonisë së Veriut pas 20 vitesh e përfundoi me sukses këtë operacion gjithëpërfshirës statistikor, përmes të cilit marrin më shumë të dhëna kyçe demografike me të cilat do të zhvillojnë politika më të sakta dhe më realiste.

Në deklaratë thuhet se analizat fillestare tregojnë se në komunat Karbinci, Konçe dhe Vasilevë numri i qytetarëve të komunitetit turk është mbi 20 për qind, që mundëson përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit turk në pushtetin lokal, të rregulluar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

“THP apelon deri te këto komuna që pa vonesa t’i respektojnë obligimet ligjore dhe po ashtu në frymën e shoqërisë, në shembullin e komunave Kërçovë, Çair, Gostivar, presim vullnet të mirë për përdorim zyrtar të gjuhës turke nga autoritetet lokale të komunave të Dollnenit, Dibrës, Radovishit dhe Vallandovës, në të cilat përqindja e qytetarëve nga komuniteti turk është rritur mjaft”, tha partia.

THP tha se sipas të dhënave të regjistrimit, pret një përmirësim të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të komunitetit turk, hapjen e paraleleve në gjuhën amtare turke në më shumë rrethina.

“Gjithashtu presim që regjistrimi të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve dhe vlerave demokratike të shoqërisë në tërësi, në mënyrë që të eliminohen mangësitë dhe dobësitë aktuale të procesit të regjistrimit në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.

TMBH: Nuk i pranojmë rezultatet e regjistrimit dhe i kundërshtojmë plotësisht

Në deklaratën e bërë nga Lëvizja e Unitetit Kombëtar Turk (TMBH), regjistrimi i kryer në vitin 2021 u përshkrua si “as i suksesshëm dhe as evropian”.

Në deklaratë, ku regjistrimi përshkruhet si një operacion postkomunist, thuhet: “Konferenca e djeshme për shtyp tregon qartë se qeveria e Maqedonisë nuk ka kapacitet për të kryer regjistrim të suksesshëm dhe të besueshëm, kështu që ky operacion është joreal dhe jobindës, prandaj, nuk është e mundur që ai të fitojë besimin e të gjithë palëve në vend dhe bashkësisë ndërkombëtare. Si rezultat i analizave tona për rezultatin e publikuar, besimi ynë në qeverinë dhe institucionet e Maqedonisë është lëkundur plotësisht”.

Partia tha se të dhënat që kanë marrë në terren dhe të dhënat e publikuara nuk përputhen në masë serioze, prandaj, thuhet më tej, “u pa qartë se është bërë manipulim”.

“Duke marrë parasysh regjistrimet që nuk janë bërë për 19 vjet, është e papranueshme që numri i turqve të jetë shtuar me vetëm 5.000”, tha TMBH.

Edhe kjo parti bëri thirrje për implementimin e gjuhës turke si gjuhë zyrtare në komunat ku parashihet sipas ligjit.

Më tej, TMBH tha se mospërcaktimi i përkatësisë etnike të 132.260 qytetarëve nga Enti Shtetëror i Statistikave hodhi hije mbi regjistrimin e popullsisë. Partia tha se edhe pse të gjitha institucionet dhe organizatat i kanë këto të dhëna, nuk kanë mundur të përcaktojnë identitetin e këtyre shtetasve.

“Prandaj kjo shifër është treguar e hapur ndaj manipulimeve që kanë të bëjnë me strukturën demografike dhe për këtë arsye ne nuk i pranojmë rezultatet e regjistrimit dhe i hedhim poshtë plotësisht. Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të pakushtëzuar të drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikave dhe administratorëve të tjerë, si dhe ndryshimin e ligjit që shkaktoi këto të dhëna false”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes së Unitetit Kombëtar Turk.

Kategoritë
BotaLajme