Pas 35 vitesh u zbulua e vërteta: Futbollisti italian u vra nga ish-e dashura e tij

Ish-futbollisti italian Donato Denis Bergamini nuk kreu vetëvrasje në vitin 1989, siç pretendonte atëherë ish-e dashura e tij Isabella Internò, e cila më në fund u dënua nga Gjykata Penale në Cosenza për vrasje dhe u dënua me 16 vite burg.

Isabella Internò (55), ish-e dashura e futbollistit italian Donato Denis Bergamini (27), i cili vdiq më 18 nëntor 1989 në një aksident të supozuar në autostradë, u akuzua tre vite më parë për vrasje me paramendim, 32 vite pas ngjarjes tragjike.

Fillimisht besohej se bëhej fjalë për vetëvrasje, kur trupi i pa fat i Bergaminit, i cili sipas versionit fillestar ishte shtypur dhe vrarë nga një kamion, u gjet në rrugë pranë qytetit të vogël Roseto Capo Spulico në Kalabri.

Një version i tillë i ngjarjes nuk u konsiderua kurrë i besueshëm nga familja, shumë gazetarë dhe ish-bashkëlojtarë të tij, pasi që nga fillimi në materialin e provave kishte shumë pasaktësi dhe mangësi.

Në nëntor të vitit 2017, pas një hetimi shtesë me urdhër të gjykatës në Castrovillari, autopsia konfirmoi se vdekja e lojtarit kishte ndodhur nga mbytja (ngufatja) përpara se ai të përfundonte nën rrotat e kamionit.

Më në fund, pothuajse 32 vite pas vdekjes së Bergaminit, për vrasjen u akuzuan ish-e dashura e tij Isabella Internò dhe shoferi i kamionit Raffaele Pisano, dhe tani ka ardhur edhe vendimi me të cilin Internò është dënuar me 16 vite burg.

Sipas raporteve, Internò, e cila në atë kohë ishte 19 vjeç, e vrau të dashurin e saj për shkak të ndarjes së tyre. Pasi e drogosi, ajo e mbyti atë me ndihmën e disa personave të panjohur dhe më pas simuloi vetëvrasjen e tij.

Kështu, e vërteta e kësaj historie, që i ngjan një filmi, më në fund ka dalë në dritë.

Donato “Denis” Bergamini ishte një mesfushor që ndërtoi karrierën e tij në kategoritë më të ulëta të futbollit italian – në Imola, Russi dhe Cosenza, ku la gjurmët më të thella gjatë pesë viteve të tij të lojës.

Kategoritë
Sport