Pas 50 vitesh lirohet nga burgu aktivisti indian i dënuar për vrasjen e agjentëve të FBI-së, e liroi Biden

Aktivisti indian Leonard Peltier, i cili kaloi gati pesë dekada në burg për vrasjen e dy agjentëve të FBI-së, megjithëse ka pohuar gjithmonë se ishte i pafajshëm, u lirua sot nga burgu në Florida, pasi ish-presidenti Joe Biden i ndryshoi dënimin.

Përkrahësit e tij, nga liderët fisnorë te Dalai Lama dhe Robert Redford, prej kohësh kërkonin lirimin e tij, duke argumentuar se gjyqi ishte i padrejtë.

“Sot jam më në fund i lirë! Mund të më kenë burgosur, por kurrë nuk ma morën shpirtin!” theksoi ai në një deklaratë të publikuar nga grupi aktivist NDN Collective.

Peltier, anëtar i fisit Turtle Mountain Chippewa, është pjesërisht i verbër dhe në gjendje të dobët shëndetësore. Ai vuan nga diabeti dhe problemet e zemrës. Tashmë 80-vjeçar, ai do të jetojë në arrest shtëpiak.

Të mërkurën, në rezervatin Belcourt, në Dakotën e Veriut, do të organizohet një pritje solemne për të.

FBI-ja ishte kundër ndryshimit të dënimit të tij. Ish-drejtori i FBI-së, Christopher Wray, e konsideronte atë si një “vrasës të pamëshirshëm”.

Përkrahësit e tij, mes të cilëve edhe shumë yje të muzikës dhe kinemasë amerikane, si grupi Rage Against The Machine dhe Robert Redford, pretendonin se prokurorët kishin fshehur prova kyçe që mund të ndihmonin në pafajësinë e tij dhe kishin falsifikuar dëshmitë.

Peltier ishte pjesë e një grupi indianësh që u përleshën me agjentët e FBI-së Jack Coler dhe Ronald Williams në rezervatin Pine Ridge, në Dakotën e Jugut, në qershor të vitit 1975.

Agjentët, të cilët ishin në rezervat në kërkim të një të arratisuri, u vranë gjatë të shtënave, ashtu si edhe një aktivist indian. Peltier pretendonte se ai nuk i kishte vrarë agjentët. Para gjyqit të vitit 1977, ai u arratis në Kanada, por më vonë u ekstradua në SHBA, u shpall fajtor dhe u dënua me dy burgime të përjetshme.

Kategoritë
BotaLajme