Pas fitores së Donald Trumpit, çmimi i Bitcoin-it kalon mbi 81 mijë dollarë

Çmimi i Bitcoin-it është rritur me 66 për qind që nga janari

Çmimi i kriptomonedhës Bitcoin u rrit për herë të parë mbi 81 mijë dollarë për shkak të pikëpamjes së moderuar të presidentit të rizgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për asetet dixhitale dhe pritjes së një Kongresi me përfaqësues pro-kripto, transmeton Anadolu.

Sipas të dhënave nga kompania e analizës Coinmarketcap, vlera e tregut global të kriptomonedhave, përfshirë Bitcoin-in, u rrit me 3.21 për qind në 24 orë dhe tejkaloi 2.71 trilionë dollarë.

Çmimi i Bitcoin-it, kriptomonedha më e madhe, është rritur me më shumë se 3 për qind në 24 orët e fundit për shkak të pikëpamjes së moderuar për asetet dixhitale të Trumpit, i cili u rizgjodh president i SHBA-së.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump premtoi ta bënte SHBA-në “qendrën e kriptove të botës” duke përqafuar asetet dixhitale. Trump gjithashtu ka një “plan kombëtar të rezervës së bitcoin-it”.

Çmimi i Bitcoin-it kaloi sot për herë të parë 81 mijë dollarë në tregjet aziatike, duke u ngjitur në 81.858 dollarë. Fitimi javor i vlerës së Bitcoin-it, i cili u tregtua me 81.263 dollarë në 08.31, tejkaloi 17 për qind.

Bitcoin, i cili ishte në nivelin më të ulët të vitit në 38.505 dollarë më 23 janar, ka fituar rreth 66 për qind që nga ajo datë. Bitcoin përfundoi vitin e kaluar me 42.283 dollarë.

Rritja e vlerës së Bitcoin-it ndikoi pozitivisht edhe në kriptovalutat e tjera.

Ethereum, i cili renditet i dyti për sa i përket vlerës së tregut, fitoi më shumë se 27 për qind në vlerë në 7 ditët e fundit dhe kaloi 3.200 dollarë për herë të parë në 3 muaj. Dogecoin, një kriptomonedhë alternative, arriti nivelin më të lartë në tre vjet.

Analistët deklaruan se republikanët do të kontrollojnë të dy dhomat në SHBA dhe se kjo u mirëprit nga investitorët për botën e kriptove. Nga ana tjetër, industria e kriptomonedhave shpenzoi më shumë se 119 milionë dollarë për të mbështetur kandidatët pro-kriptove në kongres.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme