Pas Inzaghit edhe Calhanoglu ftohet nga Prokuroria

Hakan Çalhanoğlu, mesfushori i Interit, do të paraqitet në zyrën e prokurorisë federale në Milano këtë javë, pasi u konfirmua se kishte pasur biseda me Marco Ferdicon, një nga ultrasit e arrestuar si pjesë e një operacioni të gjerë në fund të shtatorit.

Çalhanoğlu nuk është nën hetim zyrtar, por do të japë versionin e tij të ngjarjeve për të ndihmuar prokurorët në hetim.

Mesfushori i Nerazzurrëve dhe familja e tij raportohet se janë ulur për darkë me Ferdicon dhe, si trajneri Simone Inzaghi, kanë biseduar në lidhje me shpërndarjen e biletave shtesë për finalen e Ligës së Kampionëve 2023 kundër Manchester City-t.

Aktualisht, Çalhanoğlu është me kombëtaren turke dhe pritet të luajë kundër Islandës të hënën në mbrëmje, përpara se të kthehet në Milano të martën. Më pas, ai do të flasë me prokurorët të mërkurën ose të enjten, sipas “La Gazzetta dello Sport”.

30-vjeçari do të jetë përfaqësuesi i tretë i Interit që do të flasë me prokurorët pas arrestimeve të ultrasve, pas trajnerit Inzaghi dhe nënkryetarit Javier Zanetti. Asnjëri prej tyre nuk është nën hetim zyrtar.

Kategoritë
Sport