Ish-futbollisti brazilian, Dani Alves filloi një biznes interesant pasi u lirua nga burgu pas 14 muajsh dhe filloi t’i rikthehej aktiviteteve normale të jetës.
Braziliani u lirua me kusht më 25 mars pasi pagoi një garanci prej një milion eurosh dhe tani është gati për sipërmarrje të reja biznesi.
Alves filloi një biznes me të cilin do të bëhet pionier në internet dhe është një platformë e quajtur Voxtom me të cilën ai shpreson të bëhet miliarder dhe që përballet drejtpërdrejt me Tinder, Meta, X dhe gjigantë të tjerë në botën e rrjeteve sociale.
“A keni imagjinuar ndonjëherë se mund të organizoni dhe gjeni të gjitha llojet e ngjarjeve në një aplikacion? Me Voxtom, ju keni një platformë të plotë në dispozicionin tuaj për të menaxhuar gjithçka, nga festimet e vogla, si ditëlindjet, deri te ngjarjet e mëdha, si koncertet dhe festivalet. Gjithçka që ju nevojitet është këtu, me komoditetin dhe efikasitetin për të transformuar çdo ngjarje në një përvojë të jashtëzakonshme”, thuhet në faqen e internetit të platformës.
Ky aplikacion dëshiron të jetë një organizator takimesh dhe është lansuar me fokus të veçantë në tregun brazilian. Platforma tashmë ka 25,000 ndjekës në Instagram dhe është veçanërisht e fokusuar në mbledhjen e miqve dhe organizimin e festave. Në fakt, një nga qëllimet themeluese është të lidhë njerëzit dhe ta bëjë më të lehtë për njerëzit që të takohen me njëri-tjetrin.
Alves shpreson se në këtë biznes do të ketë më shumë fat se në ato të mëparshmet që ka nisur dhe që kanë të bëjnë me industrinë e hotelerisë. Braziliani më parë provoi restorantet Boteco Fogo dhe Alquimia Fogo, të cilat u detyruan të mbylleshin pak kohë më pas për shkak të falimentimit.
Meqë ra fjala, braziliani nuk e ka mbyllur asnjëherë zyrtarisht karrierën e tij, por duket qartë se e ka mbaruar futbollin në nivelin më të lartë. Angazhimi i tij i fundit ishte në UNAM meksikan dhe më parë ka luajtur për Barcelonën, Sao Paulo, PSG, Juventus, Sevilla dhe Bahia.
Ai la gjurmët më të thella në Barcelonë me 408 paraqitje dhe me 43 trofe të fituar gjatë karrierës së tij, ai është ndër futbollistët më të trofeshëm të të gjitha kohërave. Ai ka 126 paraqitje për kombëtaren braziliane.