Pas përpjekjeve disaditore, zjarret në veri të Tunizisë vihen nën kontroll

Flakët janë përhapur në pyjet në Bargou, që ndodhet rreth 110 kilometra në jug të kryeqytetit Tunis, prej rreth pesë ditësh

Zjarret pyjore që shpërthyen prej ditësh në veri të Tunizisë tani janë “90 për qind nën kontroll”, tha një zyrtar i vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Flakët janë përhapur në pyjet në Bargou, që ndodhet rreth 110 kilometra në jug të kryeqytetit Tunis, prej rreth pesë ditësh.

“Zjarret shpërthyen të dielën dhe u rritën në intensitet gjatë ditëve të fundit për shkak të temperaturave të larta dhe erërave”, tha Mohamed Ali Ben Behi, drejtor rajonal i shërbimeve të mbrojtjes civile për provincën Siliana.

Ai tha se autoritetet kanë qenë në gjendje të frenojnë zjarret që kërcënuan shtëpitë pranë pyjeve, me përforcime, përfshirë ushtrinë, të thirrur për mbështetje.

Qeveria tuniziane tha të mërkurën se 118 zjarre kanë shkatërruar rreth 2.950 hektarë tokë në gjithë vendin që nga 1 qershori.

Kjo ishte një rritje shqetësuese nga 88 zjarre që konsumuan rreth 680 hektarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Moez Triaa, zëdhënës i mbrojtjes civile.

Zyrtari tha se shtatë zjarre pyjore shpërthyen në pesë provinca të ndryshme vetëm javën e fundit.

Për javë të tëra, disa vende mesdhetare janë duke luftuar me zjarret në vazhdën e një vale të paprecedentë të nxehtësisë.

Programi i BE-së për Vëzhgimin e Tokës Copernicus sot paralajmëroi për “rrezik shumë ekstrem” të më shumë zjarreve në disa zona të Tunizisë, Spanjës, Francës, Italisë, Marokut dhe Algjerisë.

Kategoritë
BotaLajme