Këtyre ditëve, fasulja është një produkt tjetër pas spinaqit, që theu rekordin e çmimit të deritashëm në tregjet tona. Në disa shtande të tregjeve të gjelbra prishtinase dhe në shumë tregje të tjera të qyteteve të vendit, fasulja arriti çmimin 8 euro për një kilogram, që është çmim mbi të gjitha çmimet e deritashme të këtij produkti në Kosovë.
Çmimet e produkteve bujqësore në Kosovë edhe këtyre ditëve nuk ndalën së thyeri rekorde në ngritjen e tyre. Ato janë ngritur përtej çdo parashikimi, sidomos në fund të gushtit dhe gjatë tërë shtatorit.
U dyfishuan dhe trefishuan sa çel e mbyllë sytë çmimet e shumë produkteve bujqësore në të gjitha tregjet e vendit, për të arritur në nivelin e çmimeve ndër më të lartat në rajon dhe për t’u bërë thuaja të paprekshme për pjesën dërmuese të qytetarëve të lodhur financiarisht. U ngritën në gusht dhe në shtator çmimet thuaja të të gjitha produkteve bujqësore, sidomos të perimeve, pa dallim a ishte prodhimi nga arat vendore apo nga importi. Ndodhen çmimet stratosferike të specave, domateve, trangujve, hudhrës, majdanozit dhe të produkteve të tjera të nevojshme dhe të përdorura për turshitë.
Në tregjet e gjelbra ndodhi shfrenimi i çmimeve, thuaja në përmasa të paimagjinueshme për qytetarët. Por trendi i rritjes së prodhimeve bujqësore po vazhdon me ritëm të shpejtuar edhe këtyre ditëve (të fundit të shtatorit dhe fillimit të tetorit), ndërsa te produkte të caktuara po shënohen edhe çmime rekorde të pandodhura gjatë historisë së tregjeve të Kosovës.
Pas çmimit rekord të spinaqit, kur ky perim para një muaji e më shumë arriti çmimin e paparë ndonjëherë prej 6-8 euro për një kilogram, këtyre ditëve, fasulja ishte një produkt tjetër që theu rekordin e çmimit të deritashëm në tregjet tona.
Këtyre ditëve, fasulja, ushqimi më popullor i kosovarëve, në disa shtande të tregjeve të gjelbra prishtinase, por sipas informacioneve të siguruara prej Buletinit Ekonomik, edhe nga shumë tregje të tjera të qyteteve të vendit, arriti çmimin 8 euro për një kilogram, që është çmim mbi të gjitha çmimet e deritashme të këtij produkti të ndodhur në Kosovë.
“Sa kam parë unë, me çmimin 8 euro për një kilogram fasule, nuk ka pasur asnjë shitje. Klientët e tregut sapo shihnin çmimin 8 euro, ngritnin duart, dhe largoheshin shpejt”, thotë një tregtar i vjetër në tregun e Prishtinës.
Sipas tij, dje nuk është vrejtur në ndonjë shtand të tregut çmimi rekord 8 euro. Çmimi më i lartë i këtij produkti të hënën ka qenë 6 euro për një kilogram.
Sipas informacioneve të njohësve të produkteve bujqësore, kjo fasule, sado që ofrohej nga tregtarët me pompozitet dhe nën siglën “Fasule e re” dhe “Fasule e sivjetshme”, ajo në të vërtetë nuk ishte prodhim i sivjetshëm, edhe pse shquhet për nga cilësia dhe zierja e shpejtë.
Megjithatë, fasulja me çmimin 8 euro është cilësore, ç’është e vërteta, dhe vërejtja e vetme ndaj tij është çmimi astronomik.
Të hënën, të nxitur nga çmimi rekord i evidentuar dy-tre ditë më parë, reporterët e Buletinit Ekonomik kanë vizituar tregun kryesor të gjelbër të Prishtinës. Në shtandet brenda hapsirave të tregut, ku rëndom tregtohet fasulja më cilësore dhe më e shtrenjtë, një kilogram kushtonte 6 euro. Ky çmim vetëm para një jave ka qenë 5 euro. Ndërsa, kilogrami i fasulës me cilësi mesatare që një javë më parë ka kushtuar 3 euro dje tregtohej me 4 euro kilogrami.
Një njohës i ecurive të tregtimit në këto tregje, dje duke i bërë një vështrim çmimit të lartë të këtij produkti, ka thënë se sado që prodhimi i sivjetshëm i fasules është dashur të vjelet tashmë për shkak se është koha e tij, në tregjet e kryeqytetit vështirë të gjesh ndonjë sasi, qoftë edhe fare e vogël, të fasules së sivjetshme.
Thjesht, nuk ka sivjet fasule të mjaftueshme në Kosovë. Fermerët dhe kopshtarët e vendit, rendimentet e varfëra të këtij prodhimi i ruajnë për nevojat e veta, kështu që në tregjet tona, vetëm në raste të rralla mund të hasësh në “fasulën e re”. Sipas tij, fasulja e tregtuar me 8 euro dhe 6 euro kilogrami, kryesisht vie nga importi dhe kryesisht nga shtete te ndryshme të Lindjes. /Buletini Ekonomik/