Pas sulmeve të reja në Ukrainë, Rusia thotë se të gjitha objektivat u goditën

Më herët, Putin tha se objektivat në Ukrainë u goditën në përgjigje të shpërthimit të së shtunës në urën Kerch dhe “sulmeve të tjera terroriste” të kryera nga inteligjenca e Ukrainës

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, ka deklaruar se pasi presidenti Vladimir Putin urdhëroi sulme në përgjigje të “sulmeve terroriste”, forcat e armatosura ruse goditën të gjitha objektivat e tyre në Ukrainë me armë të precizionit të lartë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sot, forcat e armatosura ruse kanë shkaktuar një goditje masive me armë të precizionit të lartë me rreze të gjatë veprimi në objektet e kontrollit ushtarak dhe të sistemeve të komunikimit dhe energjisë së Ukrainës. Objektivi i goditjes është arritur. Të gjitha objektet e përcaktuara janë goditur”, tha Konashenkov.

Më herët, Putin tha se objektivat në Ukrainë u goditën në përgjigje të shpërthimit të së shtunës në urën Kerch dhe “sulmeve të tjera terroriste” të kryera nga inteligjenca e Ukrainës.

Derisa Kievi në mënyrë eksplicite nuk e ka marrë përgjegjësinë, deklarata të shumta nga zyrtarë të lartë ukrainas theksuan mundësinë, përfshirë atë të ndihmësit presidencial, Mykhailo Podolyak, i cili tha se shpërthimi ishte vetëm “fillimi”.

Ndërkohë, së fundmi një raport nga ‘New York Times’ tha se inteligjenca amerikane beson se një sulm me bombë në Moskë që vrau gazetaren ruse, Darya Dugina, ishte autorizuar nga zyrtarë të qeverisë ukrainase.

Sulmet e fundit janë dënuar nga zyrtarët perëndimor, duke përfshirë liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe shefin e NATO-s, të cilët u zotuan për mbështetje të vazhdueshme për Kievin.

Rusia filloi “operacionin special ushtarak” në Ukrainë në muajin shkurt. Në javët e fundit, forcat ukrainase nisën një kundër-ofensivë, ndërsa Moska thirri më shumë rezervistë dhe aneksoi katër rajone ukrainase pas referendumeve “të rreme”.

Kategoritë
BotaLajme