Pasardhësi i fundit i sundimtarit osman i drejtohet Trumpit: Gaza është pronë private e sulltanit Abdul Hamid II

Stërnipi i sulltanit osman Abdul Hamid II iu përgjigj propozimit të presidentit amerikan Donald Trump për spastrimin etnik të palestinezëve nga Rripi i Gazës në vendet fqinje, duke deklaruar se enklava dhe e gjithë Palestina i përkisnin gjyshit të tij të ndjerë.

“Trump thotë se do ta blejë Gazën, por nga kush do ta blejë? Gaza për të cilën ai flet është pronë private e gjyshit tim, sulltanit Abdul Hamid,” tha Abdulhamid Kayihan Osmanoğlu në një video që u bë virale në rrjetet sociale.

Mediat turke raportuan se Osmanoğlu bëri këtë koment gjatë një ceremonie përkujtimore në 107-vjetorin e vdekjes së sulltanit.

“Kur sot shkojmë në vendet e shtypura, qoftë në Siri, Palestinë apo Gaza, ata flasin për sulltanin Abdul Hamid Khan. Sot Amerika thotë: Do ta marrim Gazën. Prit pak, mik, çfarë po merr? Kur sot flisni për Gazën, ajo është e regjistruar si pronë private e sulltanit Abdul Hamid Khan. Fuqia juaj nuk është e mjaftueshme. Ju po e bombardoni për një vit, por vëllezërit tanë atje ende qëndrojnë të fortë. Ne qëndrojmë pranë Palestinës, Gazës dhe çdo vëllai të shtypur në botë,” tha Osmanoğlu.

Presidenti amerikan Donald Trump insiston në idenë e dëbimit të dy milionë palestinezëve nga Gaza dhe ndërtimit të komplekseve turistike. Shtetet arabe dhe palestinezët e kanë refuzuar këtë ide.

Kategoritë
BotaLajme