Grenlanda, ishulli i bërë sërish temë debati nga deklaratat e presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, është e pasur me burime të mëdha metalesh të përdorura për turbina ere, automjete elektrike, avionë luftarakë dhe armë, si dhe për krijimin e magneteve jashtëzakonisht të fuqishëm.
Në SHBA, vëmendja është e përqendruar te Donald Trump, i cili po përgatitet të marrë sërish detyrën më 20 janar.
Që nga dhjetori, Trump ka tërhequr vëmendjen me deklaratat se Kanadaja dhe Grenlanda duhet t’i bashkohen SHBA-së.
TRUMP: GRENLANDA DUHET TË JETË E SHBA-SË
Pas deklaratës së Trump-it se “Grenlanda duhet të jetë nën kontrollin e SHBA-së”, reagimet kanë qenë të shumta.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, iu përgjigj fjalëve të Trump-it duke thënë: “Grenlanda nuk është në shitje. Grenlanda u përket grenlandezëve.” Deklarata të ngjashme kanë ardhur edhe nga Evropa.
Ndërsa jehona e deklaratave të Trump-it vazhdon, vëmendja është përqendruar te Grenlanda.
PSE ËSHTË E RËNDËSISHME GRENLANDA
Grenlanda, me shtresat e saj të mëdha të akullit dhe akullnajat, po përballet me tërheqje të shpejtë për shkak të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike.
Shkrirja e akujve mund të krijojë mundësi për shpime nafte dhe nxjerrje të mineraleve si bakri, litiumi, nikeli dhe kobalti, duke e bërë ishullin edhe më të rëndësishëm.
E PASUR ME BURIME TË MËDHA METALESH
E njohur si ishulli më i madh në botë, Grenlanda ka burime të mëdha të metaleve të rralla, të cilat përdoren për turbina ere, automjete elektrike, avionë luftarakë dhe armë.
Elementet e tokave të rralla (NTE), përfshirë lantanidet, itriumin dhe skandiumin, janë një grup metalesh me përdorim të gjerë industrial.
ARI, HEKURI, ZINKU, URANIUMI…
Në këtë grup përfshihen burime minerale si uraniumi, ari, hekuri dhe zinku.
Megjithëse këto metale janë të bollshme globalisht, procesi i tyre i përpunimit është aq i ndërlikuar dhe ndotës sa SHBA, dikur lider në prodhim, ia kaloi këtë rol Kinës rreth 20 vite më parë.
Ndërsa shtresa e akullit në Grenlandë po tërhiqet, dy kompani minerare me bazë në Australi, njëra e mbështetur nga SHBA dhe tjetra nga Kina, kanë nisur aktivitetet e tyre në ishull.
KOSTOJA E PËRPUNIMIT TË ÇDO MINIERE NË GRENLANDË: 500 MILIONË DOLLARË
Gara për të ndarë burimet e Grenlandës nuk kufizohet vetëm te këto dy kompani. Perëndimi synon të reduktojë varësinë nga Kina për prodhimin e këtyre metaleve të rëndësishme.
Sipas kompanisë kanadeze të konsulencës Adamas Intelligence, metalet e tokave të rralla kanë shumë përdorime dhe vitin e kaluar Kina prodhoi rreth 90% të tyre.
Me rritjen e tensioneve midis SHBA dhe Kinës, Presidenti Joe Biden njoftoi muajin e kaluar se do të rishikojë burimet e rëndësishme amerikane, përfshirë metalet e rralla, për të penguar armatimin e vendeve të tjera kundër SHBA-së.
Ndërkohë, kompanitë thonë se përpunimi i çdo miniere në Grenlandë do të kushtojë rreth 500 milionë dollarë.
KËRKESA E BE-SË PËR METALE PRITET TË TRIPLIKOHET DERI NË 2050
Kompania e parë që operon në Kvanefjeld ka përqendruar ofertën e saj kryesore në përpunimin e neodimit, një element i rëndësishëm për turbinat e erës. Brukseli parashikon që kërkesa e BE-së për këtë metal do të arrijë në 13 mijë tonë në vit deri në 2050, trefishi i përdorimit të vitit 2015. Neodimi përdoret gjithashtu në avionët luftarakë.
Ndërkohë, 10% e kompanisë Greenland Minerals zotërohet nga Shenghe Resources, një kompani kineze që ka aksione të ngjashme edhe në Mountain Pass të SHBA-së dhe është një nga kompanitë më të mëdha minerare në botë.
BAZAT MINERARE PRANË NJË ZONE TË MBROJTUR NGA UNESCO
Bazat minerare të Grenlandës ndodhen në jug të ishullit, vetëm 16 kilometra larg një zone të mbrojtur nga UNESCO.
Ndërkohë që përpunimi i mineraleve mund të shkaktojë ndotje të mjedisit, ai mund të dëmtojë ndjeshëm edhe këto zona të mbrojtura.