Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (UNHRC) votoi për zgjatjen e mandatit të Francesca Albanese si raportuese e posaçme për territoret palestineze të okupuara edhe për tre vite të tjera, pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga qeveritë pro-izraelite dhe grupet lobuese, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimi u mor të premten, gjatë seancës përmbyllëse të sesionit të 58-të të UNHRC-së në Gjenevë. Albanese do të vazhdojë tani detyrën e saj deri në vitin 2028.
Riemërimi i saj u përball me kundërshtim të fortë nga disa shtete perëndimore dhe organizata lobuese, të cilat e kanë kritikuar për qëndrimet e saj të hapura ndaj politikave izraelite. Albanese ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për spastrim etnik dhe gjenocid në raportet dhe deklaratat e saj publike, gjë që ka sjellë lëvdata nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe zemërim nga zyrtarët izraelitë dhe aleatët e tyre.
Një nga fushatat më të zëshme kundër saj u udhëhoq nga organizata UN Watch, e cila publikoi një dosje 60-faqëshe duke e akuzuar për promovim të antisemitizmit dhe “terrorizmit” në rolin e saj si raportuese speciale e OKB-së. Grupi gjithashtu nisi një peticion duke i bërë thirrje Këshillit ta bllokojë rizgjedhjen e saj dhe kërkoi shkarkimin e saj urgjent gjatë seancës së fundit.
Grupet e tjera, përfshirë Kongresin Botëror Hebre dhe organizatën e rinisë sioniste Betar, gjithashtu e kanë sulmuar Albanese. Betar madje raportohet se i ka bërë kërcënime gjatë një vizite të fundit të saj në Londër, duke iu referuar sulmeve ajrore izraelite ndaj Libanit në vitin 2023.
Deputeti laburist britanik David Taylor iu bashkua korit të kritikëve, duke e akuzuar Albanese për justifikim të sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe përshkroi Izraelin si “një pushtim kolonial të bazuar në vendbanime”, në komente të raportuara nga gazeta Jewish Chronicle, e cila është e njohur për qëndrimet e saj të forta pro-izraelite.
Megjithë këtë presion, Këshilli për të Drejtat e Njeriut e konfirmoi sërish mbështetjen e tij për mandatin e Albanese, duke sinjalizuar një përkushtim të vazhdueshëm për të monitoruar situatën në territoret e okupuara palestineze.