PDK kërkon të shkarkohet “ministrja e skandaleve”, Rozeta Hajdari

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për medie të mbajtur sot, i kanë kërkuar kryeministrit shkarkimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Tahiri ka thënë se Rozeta Hajdari ka bërë disa skandale të vazhdueshme për të cilat as nuk ka dhënë llogari as përgjegjësi.

E fundit është aktakuza që është ngritur ndaj saj për mosdeklarim të pasurisë. Tahiri ka thënë se një ministre e cila nuk e deklaron pasurinë, në krye të shumë skandaleve të tjera, duhet të shkarkohet.

“Në kodin e procedurës penale që ne kemi miratuar në Kuvend, parashihet suspendimi i zyrtarëve të lartë publik të cilët kanë aktakuza për krim të organizuar dhe korrupsion. Sot, Vetëvendosje e ka një ministre e cila ka aktakuzë për mos deklarimin e pasurisë, atëherë çfarë roli ka kodi i procedurës penale që ne e kemi miratuar? Kjo është e paparanueshme”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka kërkuar nga Kryeministri që ta shkarkoj ministren deri të premten.

“Përndryshe, do të nisim një Mocion përmbajtësor në Kuvendin e Kosovës, ku do të kërkojmë përmes seancës votimin e një rezolute që i bën thirrje Kryeministrit ta shkarkoj Rozeta Hajdarin”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, deputetja Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se ministrja Hajdari pas të gjitha këtyre skandaleve që i ka bërë gjatë kësaj periudhe, nga skandali i kompanisë ndërtimore që blen grurë, shkelja e fmijës me veturë, promovimi i Kosovës në revistën francese si vend ku kanë lindur manastiret serbe dhe deri te mosdeklarimi i pasurisë – duhet ta bindin Kryeministrin që ta shkarkoj atë.

“Ministrja Hajdari ka pasur skandale të panumërta dhe, së fundmi, ne kemi kërkuar ta shohim padinë të cilën thuhet se e kanë bërë ndaj revistës franceze. Ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari ka thënë se kanë filluar proceduar për padi, por rezultate nuk kemi parë në lidhje me promovimin e Kosovës si vend ku lindën manastiret serbe. Pas të gjitha këtyre skandaleve, ajo duhet të shkarkohet nga Kryeministri”, ka thënë Deliu-Kodra.

Kategoritë
LajmeVendi