PDK në Gjilan kërkon dorëheqjen e Alban Hysenit: Është akt i duhur në këtë situatë të jashtëzakonshme

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Riad Rashiti ka kërkuar në emër të partisë dorëheqjen e kreut të komunës, Alban Hysenit.

Rashiti ka thënë se Hyseni ndaj të gjithëve e ka humbur luftën, madje po i lufton gratë profesioniste që kanë dije e guxim.

“Dorëheqja e kryetarit të komunës ka qenë dhe mbetet shpëtim për Gjilanin, këtë e kemi kërkuar nga viti i kaluar përshkak gjendjes së jashtëzakonshme që e ka sjellë ai komunën tonë, ku po mbretëron një tension i paparë brenda institucioneve komunale deri në akte të dhunës fizike për ndërhyrje militanteske të VV-së duke ia thyer cilindrin e zyres saj, në drejtorinë e buxhetit ku menaxhohen 40 milion euro të qytetarëve të Gjilanit.” – ka shkruar Rashiti.

Ai madje ka përmendur gjithashtu edhe dorëheqjen e drejtoreshës së buxhetit, Herolinda Murati-Leka, duke thënë se është detyruar të jap dorëheqje nga pozita e saj, sepse nuk ka mundur të lejojë këtë ndërhyrje fizike të vrazhdë në vendin e saj të punës.

“Dorëheqja e kryetarit të komunës është një akt i duhur në këtë situatë të jashtëzakonshme të komunës së Gjilanit. Por duke e njohur karakterin e tij dhe mungesës së moralit politik dhe institucional të tij, kjo nuk ka ndodhë, e Gjilani do të vazhdojë me këtë katrahurë deri në zgjedhjet lokale, si momenti i largimit të tij nga qeverisja komunale.” – ka përfunduar Rashiti.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi