PE kërkon nga Komisioni i BE-së të paralajmërojë Greqinë për kthimet e paligjshme të refugjatëve

Në letër thuhet se raportet ngrenë shqetësime të rëndësishme për “humbjet e jetëve, trajtimin çnjerëzor, pengesën në qasjen e procedurave të azilit dhe kthimet prapa” me përfshirjen e policëve grekë

AGNES SZUCS

 

Parlamenti Evropian i shkroi një letër Komisionit të Bashkimit Evropian (BE) dhe i ka kërkuar që të marrë përgjegjësi lidhur me veprimet e Greqisë e cila po i kthen prapa (shtyn) refugjatët drejt Türkiye-s (Turqisë) dhe për “humbjet e jetëve, trajtimin çnjerëzor, pengesën në qasjen e procedurave të azilit dhe kthimet prapa” me përfshirjen e policëve grekë që janë rritur kohët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Juan Fernando Lopez Aguilar, kreu i Komitetit të Lirive Civile të Parlamentit Evropian, ka shkruar një letër drejtuar anëtarëve të Komisionit të BE-së përgjegjës për migracionin dhe të drejtat e njeriut, Margaritis Schinas, Vera Jourova dhe Ylva Johansson.

Në letrën e siguruar nga AA, Aguilar flet lidhur me raportet për dhjetëra persona që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare që shtyhen prapa nga zona kufitare tokësore e Lumit Meritsa drejt Türkiyes dhe se situata ka kaluar në përshkallëzim në muajt e fundit.

Aguilar në letër shpreh se raportet ngrenë shqetësime të rëndësishme për “humbjet e jetëve, trajtimin çnjerëzor, pengesën në qasjen e procedurave të azilit dhe kthimet prapa” me përfshirjen e policëve grekë në kufijtë e jashtë të BE-së dhe rikujton gjithashtu se Komisioni i BE-së “ka detyrë dhe përgjegjësi të dënojë përdorimin e çdo lloji të dhunës”.

Po ashtu, Aguilar i rikujtoi Komisionit se ka përgjegjësinë që të sigurojë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në lidhje me masat për sigurimin e ndihmës humanitare ndaj refugjatëve.

– U përpoqën të pengojnë letrën

Një zyrtar i BE-së që interesohet me dosjen, në një deklaratë për AA, tha se Partia Popullore Evropiane, që është grupi politik që i përket partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, Demokracia e Re, u përpoq ta bllokojë letrën me votën e komisionit.

Burimi gjithashtu tha se “Përpjekja nuk pati sukses, letra do t‘i dërgohet Komisionit të BE-së jo më vonë se nesër”.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut disa ditë më parë pas një padie që kishin hapur organizatat e të drejtave të njeriut nxori 13 masa të përkohshme të cilat urdhërojnë autoritetet greke që të sigurojnë ushqim, ujë dhe trajtim të mjaftueshëm shëndetësor për refugjatët e bllokuar në kufirin Türkiye-Greqi në afërsi të lumit Meritsa.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe institucionet kryesore të medias, raportojnë shpeshherë kthimet e paligjshme prapa të autoriteteve greke që shkelin ligjin ndërkombëtar. Pavarësisht kësaj, autoritetet greke vazhdojnë të mohojnë raportet.

Kategoritë
BotaLajme