Pendarovski sinjalizon për më shumë bashkëpunim ushtarak me Turqinë në mes të luftës në Ukrainë

I pyetur nëse Maqedonia e Veriut mbështet shqetësimet e Türkiye-s lidhur me aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, Pendarovski tha se Ankaraja ka “disa shqetësime legjitime të sigurisë” të cilat duhet të adresohen

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka sinjalizuar për bashkëpunim të mëtejshëm ushtarak me Türkiye-n në periudhën e ardhshme, duke theksuar se “pushtimi i paligjshëm rus i Ukrainës vetëm se po e bën gjithë çështjen më urgjente”.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) në margjinat e mbledhjes vjetore të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, presidenti Pendarovski tha se bashkëpunimi ushtarak midis Maqedonisë së Veriut dhe Türkiye-s filloi shumë vite më parë dhe se shumë ushtarë të rangut të lartë të vendit të tij u trajnuan në shkollat ushtarake turke.

I pyetur nëse blerja e dronëve ushtarakë nga Türkiye është në agjendën e Shkupit, Pendarovski tha se gjatë një viti e gjysmë të fundit Maqedonia e Veriut bëri marrëveshje të reja për blerjen e disa pajisjeve ushtarake dhe armëve nga Türkiye.

“Por, sigurisht, kjo është një çështje e ndjeshme dhe nuk do të doja të diskutoj në detaje të gjitha këto publikisht”, theksoi ai.

Marrëveshjet dypalëshe midis dy vendeve, Pendarovski i përshkroi si “të shkëlqyera”, duke theksuar se Türkiye ishte një nga mbështetësit më të vendosur të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut në fillim të viteve 1990 dhe bashkëpunimi ekonomik për momentin po ndërtohet ngadalë nga viti në vit.

Presidenca e OSBE-së “sfidë e madhe” për Maqedoninë e Veriut

Më 1 janar, Maqedonia e Veriut mori presidencën e radhës të vitit 2023 të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Pendarovski tha se mandati i presidencës së OSBE-së do të jetë një “sfidë e madhe” për ta pasi Maqedonia e Veriut është një vend i vogël me burime të kufizuara.

“Ne kemi marrë udhëheqjen e një organizate me 57 vende anëtare, që shtrihet nga SHBA-ja dhe Kanadaja, përfshirë Rusinë, Azinë Qendrore, kështu që nuk është një detyrë e lehtë, por ne jemi përgatitur mirë për këtë detyrë. Ne filluam nga 1 janari dhe do ta kryesojmë atë organizatë gjatë gjithë vitit”, tha Pendarovski.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut po kryen përpjekjet e saj për lehtësimin e konfliktit në Ukrainë.

“Ne jemi në kontakt me të dyja palët. Së fundmi, dërgova një ambasador maqedonas në Moskë në mënyrë që të dëgjojë palën tjetër, pavarësisht se nuk ka dyshim se pushtimi rus është plotësisht i paligjshëm dhe nuk lejohet nga asnjë rregullore apo parim ndërkombëtar”, tha Pendarovski.

Pendarovski gjithashtu tha se ata po përpiqen të bëjnë më të mirën e tyre për ta zgjidhur problemin që nga fillimi.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së disa ditë më parë vizitoi Ukrainën dhe u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ndërkohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjithashtu pritet që muajin e ardhshëm të zhvillojë bisedime në Ukrainë.

Türkiye ka “shqetësime legjitime për sigurinë”

I pyetur nëse Maqedonia e Veriut mbështet shqetësimet e Türkiye-s lidhur me aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, Pendarovski tha se Ankaraja ka “disa shqetësime legjitime të sigurisë” të cilat duhet të adresohen.

“Nuk them se duhet të ndodh edhe kësaj radhe. Por, kam shumë besim se me ndihmën e vendeve të treta, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, me miqtë tanë, Finlanda dhe Suedia do të përfundojnë sa më parë procesin e ratifikimit, duke përfshirë edhe në Parlamentin turk. Sepse nuk ka dyshim se na duhen si aleancë, na duhen këto dy vende, që janë vende demokratike me traditë të gjatë dhe ata vetëm se mund të na ndihmojnë të gjithëve në këtë situatë me luftën në kontinent pas kaq shumë dekadash”, deklaroi Pendarovski.

Ai po ashtu theksoi se presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, po bën përpjekje të mëdha diplomatike për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.

“Presidenti Erdoğan ndoshta është i vetmi politikan në botë që komunikon me të dy, me Rusinë dhe Ukrainën”, tha Pendarovski.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë

Lidhur me tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë për kufirin, Pendarovski nuk beson se konflikti mes dy vendeve do të kthehet në një luftë në Ballkan.

“Nuk besoj se ai lloj zhvillimi do të ndodhë në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme për sigurinë e njerëzve tanë. Sigurisht, situata në Kosovë është plotësisht nën kontroll”, theksoi Pendarovski.

Sipas tij, shqetësimi më i rëndësishëm në Kosovë janë të drejtat e njeriut, stabiliteti dhe siguria për të gjithë njerëzit që jetojnë atje.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë u ngritën pas një sërë ngjarjesh në rajon. Në nëntor të vitit 2022, vendet patën një mosmarrëveshje mbi targat e automjeteve, me qeverinë në Prishtinë që kërkonte nga komuniteti serb në vend të dorëzojnë targat e lëshuara nga Serbia për t’i zëvendësuar ato me targa të lëshuara nga Kosova.

Kategoritë
BotaLajme