Pensionet në Maqedoninë e Veriut rriten me 8,4 për qind

Kryeministri Kovaçevki tha se rritja e pensioneve ishte më e lartë se sa pritej, duke shtuar se pensionistët i kanë fituar pensionet dhe askush nuk po ua fal ato.

Këshilli i Sigurisë Shoqërore i Maqedonisë së Veriut mbajti mbledhje në të cilën u miratua rritja e pensioneve prej 8,4 për qind, raporton Anadolu.

Mbledhjen e udhëhoqi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, ndërsa në mbledhje morën pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski, si dhe ekspertë nga ministritë përkatëse dhe përfaqësues të institucioneve të tjera, duke përfshirë përfaqësues të disa shoqatave të pensionistëve.

Pas përfundimit të takimit u mbajt një konferencë për media në të cilën folën kryeministri Kovaçevski, ministrja Trençevska dhe kryetarja e Unionit të Shoqatave të Pensionistëve të Maqedonisë së Veriut, Stanka Trajkova.

Në fjalën e tij, kryeministri Kovaçevski tha se rritja e pensioneve është më e lartë se sa pritej, duke shtuar se pensionistët i kanë fituar pensionet dhe askush nuk po ua fal ato.

“Në këtë vit, përveç korrigjimit të pensioneve të këtij marsi, do të vijojë edhe një tjetër korrigjim në shtator, i përshtatur sipas kostos së jetesës dhe rritjes së pagës mesatare, që do të thotë se për një vit kalendarik, rritja e pensioneve do të jetë rreth 16 për qind”, tha Kovaçevski.

Kovaçevski shtoi se me rritjen e sotme, pensioni mesatar nga 17.666 denarë do të rritet në 19.150 denarë. Ai u shpreh i kënaqur për dialogun cilësor me shoqatat e pensionistëve.

Ministrja Trençevska në fjalën e saj sqaroi se vitin e kaluar është ndryshuar metodologjia për korrigjimin e pensioneve. Sipas metodologjisë së re, përveç rritjes së kostos së jetesës, merret parasysh edhe rritja e pagës mesatare.

Trajkova, nga ana tjetër, tha se në vitin 2022 rritja e kostos së jetesës në gjysmëvjetorin e dytë në krahasim me gjysmëvjetorin e mëparshëm ishte 10,6 për qind, ndërsa rritja e pagës mesatare në të njëjtën periudhë ishte 6,2 për qind.

“Sindikata vazhdon të monitorojë metodologjinë e re, se si ndikon në nivelin e pensioneve dhe ne kemi përgatitur propozime të reja të titulluara ‘Propozime për përmirësimin e formulës për korrigjimin e pensioneve’ dhe të njëjtat ia kemi dorëzuar Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale”, tha Trajkova.

Kategoritë
LajmeRajoni