Pensionistet ndihmojnë vullnetarisht ushtrinë e Ukrainës duke thurur rrjeta kamuflazhi

Gratë në pension në qytetin lindor Kramatorsk përgatisin rrjeta kamuflazhi ushtarak të punuara me dorë dhe thurin çorape për të mbështetur ushtrinë

Fitorja e Ukrainës mes tensioneve të fundit me Rusinë duhet të jetë mbi të gjitha, sipas një aktivisteje vullnetare në rajonin Donbas, në lindje të vendit, e cila së bashku me disa pensioniste të tjera kanë përveshur mëngët për të mbështetur ushtrinë shtetërore.

“Uroj fitoren. Kurse fitorja duhet të jetë mbi të gjitha”, tha për Anadolu Agency (AA) Oksana Murovleva, kryetare e degës së Donetskut të Unionit të Grave Ukrainase dhe Klubit të Bashkëbisedimit Faina.

Rreth tridhjetë vullnetare, kryesisht gra të pensionuara, punojnë në shoqatën në Kramatorsk, një qytet në pjesën veriore te rajonit të Donetskut, ndërsa të rinjtë vijnë gjithashtu në shoqatë për të ndihmuar vullnetaret të shtunave.

“Familja ime (në Donetsk) u përzu nga shtëpia jonë sepse ishim pro-ukrainas”, tha ajo, duke shtuar se pothuajse të gjithë vullnetarët e shoqatës u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, të cilat tani janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë.

“Të gjithë vullnetaret kemi një pikëllim të përbashkët”, shtoi Murovleva.

Meqenëse gratë nuk janë në gjendje të shkojnë në vijën e parë, ato duhet të mbrojnë pjesën e pasme të frontit, tha ajo.

Murovleva, ish-profesoreshë universitare e gjuhës dhe letërsisë ukrainase nga qyteti Yasynuvata në rajonin Donetsk të Ukrainës juglindore, tha se gratë ukrainase “duhet të mësojnë të fitojnë për jetesën e tyre dhe të jenë të sigurta për të ardhmen e tyre”.

“Problemi i të gjitha shoqërive është se kur arrijnë fitore, ato nuk dinë çfarë të bëjnë me të. Ne nuk duam të jemi skllevër. Ne nuk duam që dikush të na administrojë. Ne duam që kjo fitore të jetë fitorja e Ukrainës, të jetë një fitore e shtetit tonë amë”, tha ajo.

Ajo shtoi se shoqata e tyre ka nisur një fushatë për të qepur rroba kombëtare ukrainase për foshnjat e porsalindura dhe më pas t’i dërgojnë ato në spitalet e lindjes pa pagesë. “Rrobat kombëtare janë kodi i kombit,” pohoi ajo.

Punë pa asnjë ditë pushimi

Nadejda Kolinchenkova, 70 vjeçe, po ashtu vullnetare, tha se shoqata filloi të funksionojë në Kramatorsk në gusht 2014, kur shpërtheu konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës.

Rusia në vitin 2014 aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës, akt ky i cili nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar dhe që është dënuar nga Ukraina dhe shumica e bashkësisë ndërkombëtare si i paligjshëm. Atë vit, Rusia filloi gjithashtu mbështetjen e saj për rebelët separatistë në Ukrainën lindore, një politikë që ajo e ka vazhduar për tetë vitet e fundit.

Në përgjigje të veprimeve të Rusisë, NATO rriti praninë e saj në bllokun lindor, me katër grupe beteje shumëkombëshe me madhësi batalioni të dislokuar në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni në principin e rotacionit.

Kolinchenkova, inxhiniere dizajni në pension, tha se vullnetarët përgatisin rrjeta kamuflazhi ushtarak të punuara me dorë dhe thurin çorape, si dhe bëjnë jastëkë të vegjël dhe i dërgojnë në vijën e parë për të mbështetur forcat ukrainase.

“Ne kemi punuar për tetë vitet e fundit, që nga viti 2014. Deri në mesin e vitit 2018, ne punonim pa asnjë ditë pushimi. Tani kemi vetëm një ditë pushim në javë… Mbrojtësit tanë nuk kishin asnjë ditë pushimi, dhe kështu edhe ne nuk morëm ditë pushimi, ndihmojmë me aq sa kemi mundësi”, tha ajo.

Kolinchenkova nënvizoi se “i gjithë qyteti, e gjithë Ukraina” mbështet aktivitetet e tyre vullnetare.

Si materiale për të prodhuar rrjetat e kamuflazhit ushtarak, vullnetaret përdorin mbetjet e pëlhurave të ofruara nga fabrikat ushtarake të tekstilit dhe rrobat me ngjyra të caktuara të dhuruara nga banorët vendas, tha ajo.

Vullnetaret prodhojnë gjithashtu veshje të ndryshme të punuara me dorë dhe suvenire të cilat i shesin rregullisht në panaire të ndryshme dhe financojnë aktivitetet e tyre nga paratë që mbledhin.

Kategoritë
BotaLajme