Pentagoni Amerikan mori zëvendës zëdhënësen, më parë bëri thirrje për kthimin e Kosovës Serbisë

Ministria e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se në pozitën e zëvendës zëdhënëses së Pentagonit është emëruar Kingsley Wilson, e cila më parë ishte e njohur për qëndrimet e saj kontroverse ndaj Kosovës.

Pas emërimit të saj, në qendër të vëmendjes u rikthye deklarata e saj nga dhjetori i vitit 2023, kur në rrjetin social X shkroi “Make Kosovo Serbia again” (Ta bëjmë Kosovën sërish Serbi), gjë që shkaktoi zemërim të madh te shqiptarët.

Pas marrjes së detyrës, Wilson publikoi në rrjetet sociale se është e nderuar për emërimin dhe se “Amerika do të jetë më e fortë se kurrë”.

Administrata e re amerikane ka mendime të ndara lidhur me qeverinë aktuale të Kosovës. Gjatë javëve të fundit, një sërë kritikash ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë aktuale i ka adresuar bashkëpunëtori i Trump-it, Richard Grenell, i cili e ka përshkruar qeverinë e Kurtit si një partner të pabesueshëm.

Nga ana tjetër, Grenell ka treguar se ruan marrëdhënie shumë të mira me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin është takuar edhe në janar.

“Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, është pjesë e përkushtimit të ambasadorit Grenell në rolin e tij të ri në administratën e dytë të presidentit Trump. Me këtë rast, ambasadorit Grenell i kam rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për rikthimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-të, duke theksuar objektivin tonë kryesor – anëtarësimin e drejtpërdrejtë të Kosovës në NATO”, tha Haradinaj pas takimit.

Kategoritë
BotaLajme