Të enjten, në finalen e barazhit për kualifikim në Kampionatin Evropian të femrave, do të përballen Serbia me Suedinë në Leskovc.
Kjo ndeshje, për serbët do të jetë e çuditshme pasi për Suedinë luan Kosovare Asllani.
Për këtë të fundit, mediat në Serbi veçse kanë nisur të raportojnë, duke thënë se ajo feston me simbolin e shqiponjës dykrenare.
“Përfaqësuesja e femrave e Serbisë në futboll, të enjten nga ora 18:00 do të presë përzgjedhjen e Suedisë në Leskovc në finalen e barazhit për kalim në kampionatin evropian, ndërsa një prej lojtareve kyçe të ekipit suedez do të jetë Kosovare Asllani e cila njohët si ‘Zllatani femër’ por edhe për gjestet provokuese, mbi të gjitha për festimin e golave me shqiponjën e improvizuar”.
Kështu e nis shkrimin gazeta serbe “Blic”.
“Asllani ka lindur në vitin 1989 në qytetin suedez të Kristianstad, nga prindër të emigruar nga Kosova. Ajo ka marrë emrin nga vendlindja e saj, ndërsa në këmbën e djathtë ka një tatuazh me shqiponjë, simbolin e flamurit shqiptar”.
“Po ashtu, Kosovarja shquhet për lëvizjet provokuese në fushë, të ngjashme me ato të ndeshjes së famshme ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u ndërpre për shkak të mbikalimit të një droni me simbole ofenduese”.
“Ajo cilësohet si një personalitet shumë kontrovers dhe nuk duhet harruar se ka mbështetur gjestet provokuese të futbollistëve si Shaqiri dhe Xhaka, të cilët tundnin ‘Shqiponjën shqiptare’ në Botërorin e Rusisë”.
“Gjatë Kupës së Botës 2019, festimi i golit të saj duke shfaqur një shqiponjë të improvizuar shkaktoi shumë polemika dhe e vuri atë në qendër të vëmendjes”.
“Asllani aktualisht është futbolliste e London Lions dhe në karrierën e saj ndër të tjera ka luajtur për Milanin, PSG-në e Manchester Cityn…”.
“Ajo do të luajë kundër Serbisë dhe këtë e dëshmon fakti se është në listën e futbollistëve për ndeshjen e Leskovcit”.
Ndeshja luhet në Leskovc të enjten nga ora 18:00, ndërsa ajo e kthimit më 3 dhjetor në Stockholm nga ora 19:00.
Përfaqësuesja me rezultatin e përgjithshëm më të mirë nga dy ndeshjet, do të kualifikohet në Evropianin 2025.