Për herë të parë flet publikisht një burrë i dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë

Për herë të parë që nga paslufta e vitit 1998-1999 në Kosovë, një burrë ka folur publikisht për dhunimin seksual gjatë luftës, në shënimin e 14 Prillit – Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të Luftës.

Pas 26 vjetësh heshtje, Ramadan Nishori nga Drenica ndau historinë e tij më të dhimbshme të jetës, ku në fund të shtatorit 1998 u bë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës, duke qenë në moshën 22-vjeçare.

Ai tha se ishin larguar nga shtëpia dhe ishin vendosur në Negroc, te dajallarët. Më 27 shtator, ai me disa të tjerë u dërguan nga policia serbe në Stacionin Policor në Drenas dhe duke qenë në korridor të stacionit policor, u rrëmbye nga dy policë dhe më pas u dhunua.

“Erdhën dy policë me uniforma, më kapën për krahësh, më kanë ngrehur zhag (më zvarritën) dhe më futën në një banjë dhe aty ndodhi më e keqja, më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriu. Sepse, atë kurrë nuk e kisha menduar që do të më ndodhte dhe njëri nga ta më dhunoi. Dhe, duke u përgatitur i dyti për dhunë, nga britmat e mia, shqiptari që ka qenë atje, u fut brenda dhe më nxori nga aty. Më kanë marrë dhe më futën në zyrën ku na merrnin në pyetje, por mua atë ditë nuk më morën më në pyetje”, tha Nishori.

Ai tha se policët civilë filluan ta kërcënojnë duke i thënë se ajo çfarë i ndodhi atij nuk guxon të tregohet kurrë në jetë.

Nishori tha se menjëherë një ditë më vonë, maltretimi ndaj tij vijoi duke e dërguar në Burgun e Prishtinës, e pas disa muajsh edhe në Burgun e Lipjanit. Por, pas Burgut të Lipjanit ai ishte transferuar gjatë periudhës së fundit të luftës në Burgun e Dubravës, ku mbeti gjallë pas bombardimeve aty.

Për maltretimet në burgun e Dubravës, ai tha se për të “në atë kohë, vdekja ishte paqe”.

Nishori: Rrëfimi i Vasfije Krasniqit ishte inspirim për të rrëfyer

Më tej, Nishori rrëfen për jetën me barrën e të kaluarës në luftë, duke thënë se si i fejuar që ishte, vetëm dy javë pasi doli nga burgu u martua dhe i premtoi vetes që ta niste një “jetë të re”, por e kishte të pamundur.

“Thosha më vete unë jam burrë dhe për këtë çfarë kam përjetuar nuk duhet të dijë askush sepse thosha se do të më nënçmojnë, bullizojnë dhe isha shumë i mbyllur në vete. Më vinte të qaja, të bërtisja me të madhe. Ikja natën nga shtëpia, qaja dhe u ktheja në shtëpi. Sepse, turpi ishte më i rëndë se dhimbja”, tha Nishori.

Ai tha se në vitin 2005 shumë shpesh ka tentuar që të “dorëzohej” në institucionet që merren me rehabilitimin e të dhunuarve seksualë të luftës, por nuk kishte marrë guxim.

Nishori tha se rrëfimin e Vasfije Krasniqit, gruas së parë që doli publikisht për të folur për dhunën seksuale gjatë Luftës së Kosovës, e konsideron si inspirim për t’u rrëfyer.

Ai tani vazhdon të jetojë në Kosovë, me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Feride Rushiti, nën kujdesin e së cilës u shënua 14 Prilli, tha se rrëfimi i Nishorit nuk është vetëm një hap i një të mbijetuari por një hap për gjithë shoqërinë kosovare drejt dhembshurisë, drejtësisë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi