Për mospërgjigje ndaj Speciales, “Kurti mund të ndëshkohet me gjobë ose burgim deri në një muaj”

Mospërgjigjja në ftesën e Prokurorisë Speciale nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas avokatit Ardian Bajraktari shpjegon se sipas ligjit, kryeministri ishte i obliguar t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së institucioneve të prokurorisë, ashtu siç do duhej të vepronte dhe një qytetar  tjetër.

Edhe qytetarët janë të pajtimit që Kurti duhet t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale, gjithashtu ata mendojnë se deklarimet e kryeministrit në prokurori duhet të bëhen publike.

Në një intervistë për Ekonomia Online ai theksoi se, pavarësisht pozitës së tij, Kurti duhet të japë dëshminë e tij në lidhje me çështjen që po hetohet.

“Referuar legjislacionit në fuqi çdo qytetarë pavarësisht statusit të tij është i obliguar t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së institucionit të prokurorit të shtetit për të dhënë dëshmi përkatësisht për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me çështjen e cila është objekt i hetimit nga ana e institucionet të prokurorit të shtetit si institucion me Kushtetutë dhe ligj për hetimit të veprave penale”, tha ai.

Bajraktari shprehu shpresën që institucionet e Kosovës, përfshirë Prokurorinë dhe Zyrën e Kryeministrit, të komunikojnë në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe të zgjidhin situata të tilla pa vonesa.

“Në rrjedhë të saj stafi i zyrës së kryeministrit e ka arsyetuar mungesën e Kurtit për shkak se i njëjti ka qenë me agjendë të paracaktuar dhe në rrjedh të saj vlerësoj një arsyetim i tillë është në linjë me dispozitat e kodit të procedurës penale. Por, shpresoj që këto dy institucione të kategorisë kushtetuese të komunikojnë ndërmjet vete në një komunikim normal dhe korrekt në mënyrë që të shmangen situata të tilla dhe ti mundësohet Kurtit ta kryejë obligimin e tij qytetarë për të dhënë dëshmi siç është ftuar nga ana e prokurorisë”, ka thënë Bajrami.

Ai gjithashtu paralajmëroi se, në rast të mosprezencës pa një arsye të vlefshme, mund të shqiptohen ndëshkime ligjore, përfshirë gjobë deri në 250 euro ose burgim deri në një muaj.

“Sigurisht që institucioni i prokurorit të shtetit kur ka dërguar ftesën mbi bazën ecurisë procesit hetimor ka vlerësuar se është relevante për çështjen dhe jam optimist dhe inkurajojë kryeministrin e vendit që t’i përgjigjet kësaj ftese dhe ta kryej obligimin ligjor si qytetarë dhe si kreu i Qeverisë. Sipas nenit 132 mos prezenca dhe mos arsyetimi i saj paraqet bazë për ndëshkim 250 euro edhe mund të burgoset deri në muaj ose derisa dëshmia e tij të bëhet jo relevante, vlerësoj që kryeministri i vendit do të reflektojë dhe nuk do të ndodhet në situata të tilla”, ka potencuar ai.

Edhe qytetarët janë të pajtimit që Kurti duhet t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale, gjithashtu ata mendojnë deklarimet e kryeministrit duhet të bëhen publike.

Izet Zhuja ka theksuar se çdo qytetar i Kosovës duhet t’i përgjigjet thirrjeve të gjykatësve dhe se është detyrë qytetari të paraqitet dhe të shpjegojë arsyet e thirrjes.

“Duhet të shkojë secili qytetarë i Kosovës, duhet t’i përgjigjet thirrjeve të gjykatësve, varet prej natyrës pse e kanë thirr meqenëse është koha e fushatave, pala tjetër gjithmonë mundohet në mënyra të ndryshme që të akuzojë Qeverinë dhe më së pari e atakojnë Kurtin. Por, vlerësoj që qytetari është i obliguar të paraqitet dhe t’i përgjigjet prokurorisë, pavarësisht situatave që gjenden dhe duhet të tregoj se pse e kanë thirrur, vetëm atëherë ne mundemi me ditë se për çka e kanë thirrur, ai duhet të përgjigjet dhe duhet ta bëjë publike dhe ta dinë qytetarët”, ka thënë ai.

Ndërkaq, qytetari Zymer Mramori, ka vlerësuar se ky është një proces që koordinohet dhe ka theksuar se çdo qytetar duhet të përgjigjet pozitivisht thirrjes, përfshirë Kurtin.

“Ka qenë jashtë nuk ka mundur të vijë, por ai do të vijë kur t’ia dërgojnë dëshminë e dytë si dëshmitar, ato koordinohen më herët vizitat, ky është mësuar Albinin e kanë ngreh zhag policia, por besoj që paraqitet. Secili duhet të paraqitet, kryeministrin në Kroaci e dënuan sepse ka bërë gabime dhe kancelari i Gjermanisë ka bërë burg 16 vjet. Jo vetëm Kurti, por edhe unë nëse kemi bërë gabim të dërgojnë tek gjykatësi dhe të përgjigjet”, ka theksuar Mramori.

Nga ana tjetër, qytetari Shemsi Berisha ka shprehur mendimin se thirrja e Kurtit për intervistim ka një dimension politik, duke e parë këtë si dëmtim në prag të fushatës zgjedhore.

“Ka vepruar mirë jo në atë aspektin sepse tani po shihet që është fushatë zgjedhore dhe Prokuroria dhe Gjyqësia nuk janë të Albinit, janë të qeverive të mëhershme, e kanë bërë për t’ia humbur autoritet Albinin. Pse nuk e kanë bërë më herët, nëse e ka shkelur ligjin normalisht që duhet të përgjigjet për ata është aty, ai është kryeministri gabime mund të ketë por pse të thirret në këtë kohë, për shkak se nëse këtij i ngritët një aktakuzë atëherë nuk mundet të garojë për zgjedhje”, ka potencuar Berisha.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi