Për tre muaj u regjistruan 2 835 ndërmarrje të reja, 96.5% e tyre me 1-4 punëtorë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2022.

Në periudhën prill-qershor 2022 gjithsej janë regjistruar 2 835 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak, ka rritje për 0.1% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2021) ka një rritje për 0.8% të ndërmarrjeve të regjistruara.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave, me 692 ndërmarrje të regjistruara (24.4%); Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 332 ndërmarrje të regjistruara (11.7%); Ndërtimtari me 299 ndërmarrje të regjistruara (10.5%); Prodhim me 286 ndërmarrje të regjistruara (10.1%); Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 266 ndërmarrje të regjistruara (9.4%), etj.

Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 735 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (96.5%); me 5 deri 9 të punësuar janë 63 sosh (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar janë 30 ndërmarrje të regjistruara (1.1%); me 20 deri 249 të punësuar janë 3 ndërmarrje të regjistruara (0.1%); dhe në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar janë 4 ndërmarrje të regjistruara (0.1%).

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 809 ndërmarrje të regjistruara (28.5%); Ferizaj me 236 ndërmarrje të regjistruara (8.3%); Prizreni me 220 ndërmarrje të regjistruara (7.8%); Gjilani me 159 ndërmarrje të regjistruara (5.6%); Peja me 156 ndërmarrje të regjistruara (5.5%); dhe Mitrovica me 129 ndërmarrje të regjistruara (4.6%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Kategoritë
Ekonomi