Përballje e ashpër në Montpellier: Tifozët e Francës dhe Marokut janë përplasur në sheshin e qytetit (Video)

Futbollistët e Francës dhe Marokut kanë luajtur sonte ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Botës në Katar (2:0), dhe kjo ndeshje shkaktoi vëmendje të madhe në vendin e kampionit aktual të botës.

Gjegjësisht, një numër i madh marokenësh jetojnë në Francë, ku ndeshjen e kanë ndjekur në sheshe të organizuara në qytete të shumta.
Siç pritej, në rrugë dolën edhe francezët, ndaj edhe më herët autoritetet shprehën shqetësimin për situatën dhe ngritën të gjitha forcat e policisë në dispozicion për të parandaluar konfliktet.

Megjithatë, duke gjykuar nga pamjet që na vijnë nga Montpellier, ata nuk ia dolën plotësisht këtij plani.
Video tregon një konflikt të ashpër mes tifozëve të Francës dhe Marokut në një nga sheshet e qytetit.

Ka pasur edhe një konfrontim fizik, si dhe gjatë konfliktit janë përdorur një numër i madh mjetesh piroteknike.

Ende nuk janë publikuar të dhënat për ndonjë tifoz të lënduar dhe numrin e të arrestuarve pas këtij konflikti.

Kujtojmë se Franca mundi Marokun me rezultat 2:0 dhe u kualifikua në finalen e Botërorit, ku do të përballet me Argjentinën. Kjo ndeshje do të luhet të dielën, ndërsa një ditë më parë Maroku do të luajë me Kroacinë në duel për vendin e tretë.

Kategoritë
Sport