Përdorimi i simbolit “Z” të Rusisë mund të dënohet në Gjermani

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Marek Wede, tha se “lufta e agresionit të Rusisë” është një krim dhe ata që e mbështesin këtë luftë rrezikohen për ndjekje penale

Sipas autoriteteve gjermane, përdorimi i shkronjës “Z” në Gjermani për të shprehur mbështetjen për luftën e Rusisë kundër Ukrainës është i dënueshëm sipas kodit penal, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Marek Wede, tha se “lufta e agresionit të Rusisë” është një krim dhe ata që e mbështesin këtë luftë rrezikohen për ndjekje penale.

“Shkronja ‘Z’ si e tillë sigurisht që nuk është e ndaluar. Megjithatë, në raste individuale, përdorimi i saj mund të përfaqësojë miratimin e luftës ruse të agresionit dhe për këtë arsye është i ndaluar sipas nenit 140 të kodit penal”, tha Wede.

Në fund të fundit, shtoi ai, “sigurisht do të jetë në dorën e gjykatave që të vendosin në çdo rast individual”.

Shkronja “Z” u pikturua në automjetet ushtarake ruse në Ukrainë dhe po ashtu u përdor si simbol i mbështetjes nga disa demonstrues gjatë tubimeve të ndryshme në Rusi.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.151 civilë janë vrarë dhe rreth 1.800 të tjerë janë plagosur që kur Rusia filloi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, por theksohet se shifra e vërtetë e viktimave është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se po ashtu mbi 3.8 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Kategoritë
BotaLajme