Perëndimi ka kapitulluar moralisht për Gazën që para Trump-it, ndërsa tani e keqja ka dalë nga shishja

Donald Trump ka tronditur botën me propozimin e tij për “shpërnguljen” e palestinezëve, por fakti që Trump trondit me veprimet e tij nuk është diçka e re apo e papritur.

Ajo që duhet të shqetësojë më shumë është se propozimi i Trump-it, edhe pse i pamoralshëm, nuk është përjashtim, por një përshkallëzim i hedhjes poshtë të “së drejtës ndërkombëtare” nga Perëndimi.

Ideja që Trump prezantoi të martën, që SHBA-ja të marrë nën kontroll Gazën dhe të “shpërngulë” palestinezët, është thellësisht kundër parimeve civilizuese. Sipas mediave amerikane, kjo është një ide origjinale e Trump-it që ka tronditur edhe këshilltarët e tij. Kjo ide sfidon tërësisht konceptin e botës që u zhvillua pas Luftës së Dytë Botërore dhe bazat e së drejtës ndërkombëtare.

Duke folur për “të drejtën ndërkombëtare”, bëhet e qartë se sjellja e Trump-it nuk është një fenomen jashtë kontekstit për botën perëndimore dhe “demokratike”.

Trump po refuzon parimet që kanë garantuar një nga periudhat më të qeta në historinë moderne të njerëzimit. Por, do të ishte hipokrizi të mos pranohet se edhe shtetet perëndimore që sot dënojnë propozimin e Trump-it për Gazën, kanë ndërmarrë më parë veprime të ngjashme.

Fletë-arresti për Netanyahu-n

Kur Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi një fletë-arrest për krime lufte kundër kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, disa vende evropiane që sot dënojnë idetë e Trump-it e relativizuan situatën. Franca, për shembull, tha në mënyrë të pavërtetë se nuk është e detyruar ta arrestojë Netanyahu-n pasi Izraeli nuk është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Polonia i ofroi Netanyahu-t vizitë të sigurt pa frikë nga arrestimi, ndërsa tani e cilëson propozimin e Trump-it si “të parealizueshëm”.

Gjermania ishte ndër të parat që hodhi poshtë planin e Trump-it. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock deklaroi se Gaza i përket palestinezëve dhe se shpërngulja e tyre do të ishte e papranueshme dhe kundër së drejtës ndërkombëtare.

“Një veprim i tillë do të çonte në vuajtje dhe urrejtje të re. Nuk mund të ketë zgjidhje pa përfshirjen e palestinezëve,” theksoi Baerbock.

Kjo ishte një deklaratë e fortë dhe morale, por a nuk është Gjermania ajo që vazhdoi të furnizonte Izraelin me armë edhe kur ky i fundit vriste dhjetëra mijëra palestinezë dhe kur organizatat e OKB-së paralajmëronin për gjenocid?

Britania e Madhe gjithashtu ka deklaruar se nuk pranon idenë e shpërnguljes së palestinezëve. Megjithatë, gjatë sulmeve izraelite në Gaza, Londra vazhdoi t’i furnizonte Izraelit armë dhe madje kreu fluturime mbi Gazë. Organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza.

Tri fuqitë e mëdha si sundues të forcës

Ajo që është më shqetësuese në botën moderne është se tre fuqitë më të mëdha – SHBA, Rusia dhe Kina – janë kthyer në sundues të forcës, duke injoruar të drejtën ndërkombëtare. Rusia po kryen agresion në Ukrainë dhe po anekson territore, njësoj siç synon Trump me territoret palestineze. Ndërkohë, Kina po ndërton ishuj në Detin e Kinës Jugore për të marrë territoret e fqinjëve të saj më të vegjël dhe njëkohësisht kryen krime ndaj ujgurëve.

Prandaj, kritikat e Rusisë ndaj planeve të Trump-it janë thjesht sulme ndaj një kundërshtari politik, jo një përpjekje e sinqertë për të mbrojtur të drejtat e popujve të vegjël.

Mesazhi për popujt e vegjël

Këto sjellje janë një paralajmërim për popujt e vegjël se nëse gjenden në gjeografinë e gabuar, ekzistenca e tyre mund të reduktohet në thjesht një mundësi për zhvillimin e hoteleve luksoze dhe rezidencave të elitave të pasura, të cilët nuk i japin vlerë jetës njerëzore përtej përfitimeve ekonomike.

Trump nuk e ka krijuar këtë pamje të errët të botës; ai thjesht po përdor ngjyra më të errëta për ta theksuar atë. Evropianët e kanë pikturuar këtë pamje kur kanë refuzuar të drejtën ndërkombëtare për të mbrojtur Netanyahu-n dhe kur kanë lejuar që ekstremistët të marrin pushtetin, duke përhapur urrejtje ndaj të ndryshmëve.

Qëndrimi i Trump-it ndaj Gazës është një metastazë e kësaj situate, por edhe vendet demokratike e kanë hedhur poshtë të drejtën ndërkombëtare për interesa të ngushta. Tani pyetja është: Si mund të mbrohemi, kur e keqja ka dalë nga shishja?

Kategoritë
BotaLajme