Përfaqësuesit e transportuesve privatë në Shkup me bllokim paralajmërues

Rreth 200 autobusë dhe 300 shoferë morën pjesë në bllokimin e sotëm të realizuar në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut e deri pranë selisë së Qytetit të Shkupit.

Përfaqësuesit e transportuesve privatë në Shkup organizuan bllokim paralajmërues gjatë ditës së sotme, ndërkaq nëse nuk arrihet marrëveshje me Qytetin e Shkupit për shlyerjen e borxheve, bëjnë të ditur se nga e hëna do të bllokojnë tërësisht disa udhëkryqe dhe rrugë, raporton Anadolu Agency (AA).

Rreth 200 autobusë dhe 300 shoferë morën pjesë në bllokimin e sotëm të realizuar në Bulevardin “Ilindenska” të kryeqytetit, duke filluar në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut e deri pranë selisë së Qytetit të Shkupit.

Autobusët e transportuesve privatë bllokuan korsitë e djathta të bulevardit “Ilindenska” ndërsa do të qëndrojnë deri në orën 17:00 ose 18:00.

Kemal Muriq, përfaqësues i kompanive transportuese private të Qytetit të Shkupit, në një deklaratë për AA tha se ashtu siç kanë paralajmëruar dje autobusët e tyre i kanë parkuar në korsitë e djathta të bulevardit që çon pranë selisë së Qytetit të Shkupit.

Ai e akuzoi kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, se jep deklarata të pasakta rreth numrit të autobusëve të transportuesve privatë.

“Ky është edhe një lloj paralajmërimi, ndërkohë që zyrtarisht kemi kërkuar takim me kryetaren e Qytetit për të gjetur një zgjidhje për situatën e shkaktuar personalisht nga ajo dhe nga Ndërmarrja e Transportit Publik. Pasi, siç dihet, nuk na e paguajnë borxhin e periudhës së kaluar, për të cilin ne kemi punuar me ndershmëri”, tha Muriq.

Transportuesit paralajmërojnë grevë totale më 5 dhjetor

Ai informoi se nga e hëna, 5 dhjetor, do të shkojnë në një grevë totale duke bllokuar udhëkryqet “Mavrovasja”, “Kryqi i Kuq” si dhe bulevardin “Ilindenska” në të 4 korsitë.

Si pasojë e gjithë situatës dhe borxhit të akumuluar, dy kompanitë që përfaqësojnë transportuesit privatë në Shkup, “Slloboda Prevoz” dhe “Makekspres”, kanë protestuar edhe më herët, përfshirë edhe të hënën kur bllokuan një nga udhëkryqet më të frekuentuara në Shkup.

Drejtori i “Slloboda Prevoz”, Lenin Jovanovski, dje i bëri thirrje pushtetit qendror që të ndihmojë dhe të veprojë si ndërmjetës në kontestin e tyre me Qytetin e Shkupit.

Qyteti i Shkupit ndërpreu kontratën me “Slloboda Prevoz”

Ndërkohë, Qyteti i Shkupit dje njoftoi se kontrata me shoqatën e transportuesve privatë “Slloboda Prevoz” është ndërprerë për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve që dalin nga kontrata.

Sipas tyre, transporti publik i qytetit funksionon pandërprerë dhe Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP) aktualisht ka kapacitete të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve të Shkupit.

Nga Qyteti i Shkupit, apeluan që “Slloboda Prevoz” të rishikojë vendimin për bllokimin e rrugëve të kryeqytetit, duke pohuar se në këtë mënyrë nuk do të arrihet zgjidhje, përkundrazi problemi do të thellohet edhe më shumë.

Kategoritë
LajmeRajoni