Përfundimi i një epoke: Dikur ishin një vend me politikën më liberale, por tani po mbyllin dyert

Suedia, vendi me një nga politikat më liberale të azilit, ka ndryshuar rrënjësisht drejtimin e saj. Politika e dyerve të hapura dhe mbështetjes së madhe sociale është një çështje e së kaluarës.

Qeveria e re e qendrës së djathtë, me mbështetjen e së djathtës ekstreme, që nga viti 2022 po ndryshon atë që qeveritë e mëparshme e kishin “neglizhuar” për vite me radhë. Suedia prej vitesh përballet me kriminalitet të madh, lufta bandash migrantësh dhe dhunë.

“Prej shumë vitesh, nuk ishte e mundur të flitej fare për problemin e migracionit. Nuk lejohej. Ishte e paimagjinueshme të thuhej se ekzistojnë dallime të mëdha mes migrantëve. Por kjo po ndryshon dhe mendoj se tani debati është i kthjellët dhe realist”, tha ministrja e migracionit Maria Malmer Stenergard (Partia e Moderuar) në një intervistë për gazetën Bild.

Nisja e një politike të ashpër migracioni ka sjellë rezultatet e para pas dy vjetësh. Vendi ka raportuar se numri i kërkuesve të azilit është më i ulëti që nga viti 1997.

“Marrja e shtetësisë në Suedi deri vonë ka qenë e lehtë. Njerëzit që vinin nga Siria merrnin menjëherë leje qëndrimi të përhershëm. Kjo e bënte Suedinë shumë tërheqëse për migrantët dhe shumë njerëz udhëtonin nëpër Europë për të ardhur në Suedi”, tha ministrja Stenergard. Por, një qasje e tillë është tashmë e kaluar, dhe qeveria e re po ndryshon gradualisht ligjin për azilin. “Shumica e atyre që kërkojnë azil aktualisht në Evropë nuk kanë nevojë për asnjë mbrojtje”, tha Stenergard.

Suedia tani po dërgon një mesazh në botë se po ndryshon politikën e saj të azilit dhe po përpiqet të bindë refugjatët potencialë që të mos e zgjedhin këtë vend si destinacion. Gjithashtu kanë nisur edhe fushata jashtë vendit.

Qeveria suedeze po zbaton një fushatë jashtë vendit për të informuar për ndryshimet në ligjin për azilin dhe për uljen e ndihmave sociale.

“Po kufizojmë shumën e ndihmave sociale që mund të merren. Aktualisht, mund të fitoni të njëjtën shumë si një punë me pagesë të ulët me kohë të plotë. Kjo është një situatë absurde që krijon stimuj për njerëzit që të mos punojnë dhe të jetojnë në kurriz të shoqërisë”, tha ministrja. Ligji tashmë është gati.

Po kryhen kontrolle të kujdesshme për të përcaktuar nëse ata që kërkojnë azil kanë nevojë dhe nëse po përndiqen në vendin e tyre.

“Kjo do të thotë që vetëm ata që janë vërtet të përndjekur në vendin e tyre duhet të vijnë në Suedi”, tha Stenergard.

Një tjetër ndryshim në krahasim me të kaluarën është se dëbimet do të monitorohen.

“Në Suedi kemi shumë njerëz që qëndrojnë këtu edhe pse u është refuzuar azili. Ata fshihen. Prandaj, do të ndryshojmë këtë situatë”, shtoi Stenergard.

Migrantët nuk duhet të qëndrojnë më tek të afërmit e tyre, ku autoritetet i kanë të vështirë t’i gjejnë (aktualisht kjo është rreth 60 për qind e rasteve), por në qendrat e pritjes.

“Dhe kur merret vendimi që ata duhet të largohen nga vendi, do të dërgohen në një qendër për riatdhesim”, shtoi Stenergard.

Masa synon migrantët që refuzojnë të integrohen dhe “niveli i të cilëve i arsimit është më i ulët dhe kultura e tyre është e ndryshme”, thotë Stenergard.

Suedezët duan të kufizojnë migracionin e tillë.

“Duhet të sigurohemi që ata që vijnë jo vetëm të hyjnë në vend, por të bëhen pjesë e shoqërisë”, thotë ministrja.

Kjo do të thotë që ata që nuk integrohen do të dëbohen.

“Nëse shikoni refugjatët ukrainas, ata janë integruar shpejt. Mësojnë gjuhën suedeze mjaft shpejt, menjëherë kërkojnë punë. Kultura e tyre në përgjithësi është më e ngjashme me kulturën suedeze sesa kultura e njerëzve nga Afrika apo Lindja e Mesme”, përfundoi ministrja Stenergard.

Kategoritë
BotaLajme