Përfundon periudha transitore për dinarin

Sot përfundon periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes së dinarit. Njohës të fushës thonë se qytetarët kanë pasur mjaftueshëm kohë për t’u informuar rreth rregullores së BQK-së. E qysh nga nesër, ndaj gjithë atyre që përdorin valuta të tjera përpos euros për transaksione me para të gatshme në Kosovë, do të ndërmerren masa.

Dita e sotme është e fundit e periudhës transitore të Bankës Qendrore për çështjen e dinarit.

Në kuadër të kësaj periudhe, nuk janë shqiptuar masa ndëshkuese, por janë ofruar informacione për qytetarët rreth zbatimit të rregullores për pagesa me para të gatshme.

Ndërsa, bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.

Pas 12 majit të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë duhet të bëhen me euro.

“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, citohet në rregulloren e BQK-së

Zbatimi i rregullores sidomos në veri të vendit vlerësohet se mund të jetë sfidues.

Kryeministri Albin Kurti, i pyetur ditë me parë për përfundimin e fazës transitore ka ritheksuar se Banka Qendrore është ajo që vendos për çështje të tilla, e jo ekzekutivi

Kategoritë
LajmeVendi